Intelektuali dhe shkrimtari nga Kosova, Rexhep Qosja, në libri e tij “Vdekja më prej syve të tillë” ka dhënë disa mendime rreth jetës shoqërore dhe vdekjes si një proces i pashmangshëm natyror, shkruan KultPlus.com
“Janë mbushur rrugët me lypës, kurse intelektualët nuk dinë të mendojnë tjetër gjë, pos të ndërtojnë shtëpi, të vrapojnë pas honorareve, të blejnë unaza të shtrenjta, gushore të arta, të ndjekin kurvat, të mblidhen nëpër gazmende, ta përgojojnë njëri tjetrin, t’ ia qesin ndërkëmbësat shoqishoqit, t’ i bëjnë një mijë të zeza. Më dhemb shumë kur i shoh duart e shtrira që lypin lëmoshë…”
“Pse njeriu është i dënuar të vdesë dhe, më në fund, a është dënim për njeriun Vdekja? Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Njeriut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Atdheut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj të Bukurës! Njeriu nuk vdes pse e harron Jetën! Njeriu nuk vdes për shkak se mund ta vrasë çfarëdo dashurie tjetër! Merreni me mend se çka do të bëhej sikur mos të vdisnin njerëzit dhe mos të cofshin shtazët! Toka do të behej aq e rëndë saqë do të fundosej prej peshës së vet. Krijesat e gjalla vdesin apo cofin për arsye se natyra duhet të çlirohet prej tepricës së vet. Duke iu frikësuar Vdekjes njerëzit më pak rrejnë, më pak vjedhin, më pak spiunojnë, më pak vrasin dhe më shumë dashurojnë.
Besoj ngulmërisht se njeriu kot lufton kundër Vdekjes; kjo është luftë e pakuptimtë, sepse është luftë kundër mikut më të madh të njeriut. Vdekja na duhet si buka, si uji, si kripa, si dashuria.
“Njeriu, shpesh, shikon dhe nuk sheh, sepse, si i thonë një fjale, nuk shihet me sy por me mend…”
“…bukuria nuk është shprehje vetëm e vijave të jashtme, e harmonisë kualitative dhe kuantitative të tyre; bukuria është sinteza e formës dhe e përmbajtjes; edhe pse një grua- mos të flasim për mashkullin që s’çmohet për nga bukuria -mund të duket e bukur në pamje, posa të shqiptojë ndonjë fjalë, mund të na duket e shëmtuar ose pse flet diçka të marrë ose pse e ka zërin e keq ose pse s’ka ritëm estetik të fjalisë ose pse e ka intonacionin e çrregulluar ose, më në fund, për ndonjë arsye tjetër, të brendshme, që s’arrijmë ta shpjegojmë kollaj. Bukuria mund të vejë pushtet mbi njeriun vetëm në qoftë se është e tërësishme, domethënë në qoftë se nëpër pamjen e jashtme rrezaton një pasuri të brendshme.”
Rexhep Qosja, “Vdekja me vjen prej syve te tille”.