“Vendenisi” dhe natyra e bukur në shtetin e shëmtuar

“Vendenisi” dhe natyra e bukur në shtetin e shëmtuar

Shkruan Agron Shala

Në mitologjinë greke, Orfeu ishte muzikanti më i madh që lindi mbi tokë. Kur ai bënte muzikë, kudo sundonte paqja dhe harmonia. Armiqtë, shtazët, guri e druni pushonin nga tingujt e tij. Por, Orfeu s’kishte fat në dashuri. Muza dhe gruaja që e donte më së shumti, nimfa Euridikë, i vdesë aksidentalisht. Ndërkaq, thuhet se ai, si vdekatar i rëndomtë e si artist, pra njeri i ndjeshëm, merr fund nga mërzia…

Sidoqoftë, emri dhe miti për të frymëzoi muzikantët dhe poetët deri në ditët e sotme. Sepse, një vepër që ndërlidhet me të bukurën dhe dashurinë, botën patjetër se e bën një vend më të mirë.

Kështu mendonin edhe ilirët. Dëshmi për këtë është lokacioni antik në Gllamnik të Podujevës, Vendenisi, ku është gjetur një nga mozaikët më të bukur që i kushtohen Orfeut dhe Euridikës. Për këtë vendbanim ka folur edhe Ptolemeu i Aleksandrisë; ky vendbanim madje përmendet në vëllimin e parë të Enciklopedisë franceze të përpiluar nga Denis Diderot dhe Jean le Rond d’Alembert. Se kush e ka punuar atë mozaik, këtë askush s’e di. Por, ata guralecë me ngjyra tregojnë se kjo tokë u shkel nga artistët që në lashtësi, siç shkelet edhe sot, paçka që masat prapë nuk i njohin ata. As Vendenisin, e as “Vendenisin”!

“Vendenisi” një ditë përmendet nga një faqe shumë e njohur interneti e Rusisë, pa ditur se për kë e për çka është fjala. Teksti ishte i shkurt. Me të drejtë, meqë fjalët më të bukura shpeshherë thuhen jo përmes shkronjave, po përmes notave muzikore apo imazheve. “Paqja e mrekullueshme e ‘Vendenisit’”, ishte titulli që përmblidhte në një vend kuptimin e fotove që merren nga profili “Vendenis”, i regjistruar në rrjetin social që i dedikohet fotografisë, 500px.comKy titull, në mënyrë të pavetëdijshme, përmes një vendbanimi në Kosovë bënte një ndërlidhje me një nga simbolet më të lashta të bukurisë. Por, edhe me një artist të “heshtur” të kohëve moderne!

“Vendenisi” është Besnik Hamiti, një person poliedrik: inxhinier i makinerisë; gazetar i televizionit publik gjerman, ARD; lektor, karateist… dhe artist i fotografisë. Por, ata që rrinë me të, e njohin më shumë për diçka tjetër: është tip urban, gjithmonë në lëvizje, dhe adhurues i kafeneve e tavernave boheme të Prishtinës!

Besniku nuk e imponon veten. Ai nuk e ka problem të jetë i “padukshëm”, prandaj për dallim nga shumëkush është i prirë për të çmuar e për ta diskutuar artin e të tjerëve. Sepse, të tillë janë artistët e Kosovës, ata që fatkeqësisht janë të paktë në numër: japin, sakrifikojnë, luftojnë për të vërtetën, por jo edhe për famë në këtë kaos të vlerave. Ndaj, nuk njihen siç duhet; janë vetmitarë siç ishte Orfeu. Në këtë realitet morbid të gënjeshtrave, një shishe birrë në tavolinë është ngushëllimi më i mirë! Pjesa tjetër është… lëvizje, adrenalinë…

Besniku pra lëvizë kudo nëpër Kosovë; e analizon botën bimore të kësaj toke dhe e pasqyron atë më shumë se çdo shqiptar tjetër përmes makro-fotografisë. Por, është një zhanër tjetër i fotografisë që vlen për t’u përmendur më shumë këtu: peizazhi! Sepse, bukuria, qetësia, prehja dhe paqja që karakterizojnë fotografitë e tij të kësaj natyre, kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave të huaja.

E, kur është fjala te peizazhi, shkrimtari Stefan Çapaliku thotë se është vështirë të gjesh një qytet më të shëmtuar se Shkodra, të ndërtuar në vendin më të bukur të botës. Besniku pasqyron imazhin më të bukur të Kosovës, që do të duhej të na bënte të ndihemi me fat e madje të bekuar për tokën ku jetojmë. Aq e bukur duket kjo tokë përmes peizazheve të tij, sa në një moment meditimi gjithçka duket si huti, si dilema në këngën “Një herë në jetë” e grupit Talking Heads: “E pra, si erdha këtu”!?

Njerëzit e bëjnë qytetin, siç e bëjnë shtetin. Shoqëritë shqiptare të dyja këto i bëjnë keq; krijojnë paradokset e shëmtisë së rrethuar nga bukuria. Por, siç ka thënë Pablo Picasso, “qëllimi i artit është të pastrosh pluhurin e jetës së përditshme nga shpirtrat tanë”. Këtë mundohet ta bëjë Besniku, si çdo artist tjetër: ta përcjell të bukurën tek të tjerët. Sepse, bukuria nuk mungon. Ajo është kudo rreth nesh. Por, duhen sy për ta parë. Sa më shumë aq më mirë, për një shpirt më të pastër e një shoqëri më me rend.

Stili i Besnikut nuk është mënyrë e duhur vetëm për të bërë art po edhe për të arritur qëllimet e mira të përbashkëta. Sepse, siç ka thënë artisti i madh anglez i fotografisë, Charlie Waite, “peizazhi ndërpret kufijtë politikë dhe shtetërorë, tejkalon kufizimet e gjuhës dhe kulturës”. Pra, hap rrugë për një botë më ndryshe, më të mirë…