
Pas suksesit të madh të përshtatjes filmike të njërës prej videolojërave më të popullarizuara të të gjitha kohërave, “The Angry Birds Movie” do ta ketë vazhdimin e vet të pritur – “Angry Birds Movie 2”, i cili në kinema mbërrin në gusht!
Bëhet fjalë për filmin e xhiruar sipas njërës nga videolojërat më të njohura për zogjtë më simpatikë të zemëruar në botë. Filmi i parë nga viti 2016 me sukses e mbarti atë popullaritet në ekrane të mëdha. Për shkak të popullaritetit të paparë të videolojës, suksesi kinematografik ishte i pritur. “The Angry Birds Movie” arriti ta kënaqë një numër të madh të shikuesve, si të vegjël ashtu edhe të mëdhenj. “Angry Birds Movie” që nga fillimi është krijuar si film për të gjithë familjen dhe të gjitha gjeneratat. Nuk pritet asgjë më pak nga vazhdimi i tij.
Në filmin “The Angry Birds Movie 2”, lufta e cila vazhdon në mes të zogjve dhe derrave, ndërpritet për shkak të shfaqjes së rrezikut të tretë të përbashkët. Heronjtë tanë të famshëm Red, Yellow dhe Bomb përballen me një armik krejtësisht të ri, i cili dëshiron ta marrë ishullin. Këtë herë zogjtë dhe derrat duhet të bashkëpunojnë, sepse vetëm me forcat e përbashkëta mund ta mposhtin kërcënimin që po u afrohet.
The “Angry Birds Movie” është plot jetë, i gjallë dhe jashtëzakonisht humoristik për të gjitha gjeneratat e shikuesve. Zërat i kanë huazuar aktorët e njohur: Peter Dinklage, Josh Gad, Danny McBride, Bill Hader, Jason Sudeikis, Awkwafina… Filmi është bërë me regji të Tony Leondis dhe John Rice, ndërsa skenari është shkruar nga Peter Ackerman. Filmi do të shfaqet si në versionet 2D ashtu edhe në 3D, shkruan KD.
Videoloja “Angry Birds” është një fenomen global, i cili, mund të themi, e ka çmendur botën. Bëhet fjalë për franshizën mega të njohur të videolojërave që u krijua në dhjetor të vitit 2009, e që prej atëherë ka pasur shpërthim të vërtetë dhe është përhapur nga pajisjet mobile deri në lojërat në konzola dhe kompjuterë personalë. Me mbi tre miliardë downloadime të lojërave në të gjitha platformat, ajo e mban titullin e rekordit absolut për nga numri i shkarkimeve të lojës falas në histori. Vetë loja është quajtur suksesi më i madh i të gjitha kohërave kur bëhet fjalë për aplikacionet e telefonave mobilë. Kështu që nuk është çudi që realizimet e filmit arrijnë suksese të tilla.
Super-hiti i animuar “The Angry Birds Movie 2” shfaqet në kinema prej 15 gushtit 2019.