Vjen edicioni i 5-të i ‘Erdhlezeti Festival’ –  Sjell të dielën 45 performues në Prishtinë

Vjen edicioni i 5-të i ‘Erdhlezeti Festival’ –  Sjell të dielën 45 performues në Prishtinë

Balkan Art Zone paralajmëron Edicionin e 6-të të ‘ERDHLEZETI Festival’, që mbahet në qendër të Prishtinës më 5 maj, prapa sheshit Skënderbeu.

I filluar si një festival i vogël dedikuar Shën Gjergjit para 5 vitesh, ERDHLEZETI Festival sivjet shpalosë një program ambicioz, me 9 orë muzikë të gjallë nga 7 bende me mbi 45 performues vendor, rajonal, e ndërkombëtar. Duke sjellë tinguj unik nga e gjithë bota në kryeqytet, ERDHLEZETI i jep rast publikut që ta shuajë etjen për shfaqje të veçanta muzikore në javën e parë të Majit.

Me mesazhin “MUZIKA ËSHTË GJUHA JONË!”, ERDHLEZETI Festival 2018 mbahet të Dielën me 5 Maj, prej orës 12:00 deri në orën 23:00, në platonë përpara kafe-librarisë Dit’ e Nat’. Sivjet, lista e performuesve përbëhet nga grupe muzikore tejet unike nga Britania, Gjermania, Hungaria, Kroacia, Maqedonia, e Kosova.

Programi gjithë-ditor sivjet përfshin:

Dub Pistols (Britani e Madhe). Nën udhëheqjen e liderit karizmatik Barry Ashford, Dub Pistols janë një nga “kult” bendet britaneze që marrin inspirim prej subkulturave të dala nga Londra viteve të 90-ta. Prej drum’n’bass, reggae, ska, e punk – Dub Pistols mbesin një nga live bendet më të kërkuara nëpër festivale anë  e mbanë botës.

Edo Maajka (Kroaci). I lindur ne Bosne e me bazë në Zagreb, Edo Maajka njihet si tekst-shkrues i shkëlqyer e performues energjik, dhe si një ndër reperët më të popullarizuar në Ballkan.

The Bloody Foreigners (Britani/Kosove) – The Bloody Foreigners janë padyshim bendi më i interesant Kosovar i dalë nga diaspora. Me këngë që të mbesin në vesh të interpretuara me një humor te mprehtë, TBF sjellin një ndër performancat më të shumëpritura të mbrëmjes.

Mitsoura (Hungari). Këngëtare e pashoq me një zë të veçantë, Mitsoura kombinon elemente të muzikës Rome me muzikë elektronike në një gërshetim magjepsë.

Radio Django (Gjermani). Të bazuar në Berlin, performancat e Radio Django sjellin tinguj nga periudha ‘hot-club’ e legjendave më të mëdha të Gypsy-jazz: Django Reinhardt e Stephane Grappelli.

Sercuk & Nizo Brass Band (Maqedoni). Pjesëtare aktiv të Kocani Orkestar – një nga brass bendet më të famshme të rajonit, vëllezërit Sercuk dhe Nizo Alimov këtë herë sjellin një kombinim më rinor për një performancë tipike Ballkanike.

Art Lokaj (Kosovë). I njohur si një performues i shkathtë e maestro i funk-it, së fundi ka mbaruar projektin e parë si kantautor të cilin do t’a shpalosë edhe në ERDHLEZETI.

Ky edicion mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Ambasada Hungareze në Kosovë, Ambasada Gjermane në Kosovë, Originals, Birra Peja, Trosha, Dit’ e Nat’, Taverna Tirona, Miqt Pub, Soma Bookstation, Selmans, Konuts, Pepsi, dhe Rave Travel.

Me një repertoar të ngjeshur e të përzgjedhur me kujdes, Erdhlezeti shfrytëzon muzikën si mjet të integrimit shoqëror, duke i inkurajuar të gjithë Kosovarët ta festojnë Shën Gjergjin së bashku. Biletat gjithë-ditore për Erdhlezeti 2019 mund t’i bleni në Dit’ e Nat’, Rave Travel, Soma, Miqt Pub, Sound Effect (Albi Mall)./ Insajderi.com