![Zbulohen edhe dy harqe të Urës së Vjetër të Gurit në Vushtrri](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2017/09/ura-guri-vushtrri.jpg)
Së paku para një shekulli ajo përshkruhej si urë me 9 harqe. Pos kësaj e tillë figuronte edhe në jo pak shënime, ani pse në pak të tjera shkruhej se besohet t’i ketë 12. Por Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri tashmë numëron 11 harqe. Ndërhyrja emergjente për restaurimin e gurëve që ishin rrëzuar nga ky monument del të ketë qenë çelësi i këtij zbulimi drejt zbardhjes së plotë të së vërtetës për këtë monument.
Gjatë ditës së enjte, punonjësit e angazhuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kanë mihur në pjesën perëndimore të monumentit. Dy harqet “e reja” kanë dalë krejtësisht në sipërfaqe nga njëra anë, përderisa shihet se traseja vazhdon tutje nën asfaltin e rrugës, që çon tek restoranti që gjendet në anën jugore të monumentit.