Zërat e të zhdukurve në luftën e Kosovës, Sislej Xhafa i dërgoi në Bienalen e Venecias

Zërat e të zhdukurve në luftën e Kosovës, Sislej Xhafa i dërgoi në Bienalen e Venecias

Telefoni që qëndron në kabinë është nga Ferizaji. I njëjti telefon është ai që e emocionon shumë Sislej Xhafën. Madje sa herë e përmend këtë telefon, ai thotë se ka emocione të forta dhe shpesh fjala i ndahet në dysh. Boll kanë parë sytë e tij në artin e botës, por prapë mjafton një telefon për ta ndalur frymën e tij.

Ky telefon, dhe mbishkrimi Lost and Found mbi të, në një hapësirë të madhe por që prapë simbolizon një hapësirë ku nuk ka asgjë, janë njerëzit e zhdukur e të humbur të luftës së fundit në Kosovë. Këta njerëz që sot janë pengu i shoqërisë kosovare erdhën në Bienalen e Venecias, `erdhën` në një formë tjetër në mënyrë që bota ta njohë historinë e tyre.

Sislej Xhafa kësisoj sot hapi Pavijonin e Kosovës për herë të tretë në Ekspozitën e Artit, pas dy përfaqësimeve të suksesshme të mëparshme. Vepra e tij u përcoll me interes nga artistë, kritikë të artit, gazetarë dhe artdashës nga e mbarë bota, në kompleksin Arsennale në Venecia.

Zërat e të zhdukurve në Kosovë po kërkojnë drejtësi, po jehojnë tutje. Arta Agani, kuratore e këtij Pavijoni, ka thënë se Sislej Xhafa është një lajmëtar për vuajtjen e familjeve shqiptare dhe të gjithë të zhdukurve në luftën e fundit në Kosovë. Ajo ka prezantuar edhe katalogun me 1664 emra të të zhdukurve, të cilët janë printuar dhe janë pjesë e katalogut të Pavijonit të Kosovës. Në hapje kanë qenë të pranishëm disa artistë edhe nga Kosova.

Alban Muja për KultPlus thotë se Sislej do ta marrë gjithsesi vëmendjen e merituar me përzgjedhjen e një teme që është e fuqishme.

`Ne nuk mundemi me i ikë realitetit dhe as të kaluarës, e kaluara duhet shqyrtuar dhe këtë Sislej e ka bërë kësaj radhe. Sislej është preciz, unë e admiroj dhe uroj që të përcillet me seriozitet. Tema e fuqishme të cilën këtë vit e bartë Pavijoni do të diskutohet dhe do të bie në sy` tregon Alban Muja për KultPlus.

Prenk Gjetaj nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit tregon se puna artistike është e bukur dhe është përmbajtësore. `Mendoj se puna do të ketë ndikim dhe besoj se do ti bëjë presion edhe Serbisë që ajo të japë llogari për të gjithë të zhdukurit në Kosovë. Arti është metodë e mirë që të ndihmohet procesi i personazhve të zhdukur. Besoj fuqishëm që ky eveniment botëror do të mund të ndikojë në këtë çështje e cila sot i mban në ankth plot familje në Kosovë` pohon Gjetaj në hapjen e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias.

Lost and Found vjen si një përgjigje e gjendjes së vështirë të familjarëve të cilët i kanë të zhdukur më të dashurit ë tyre që nga fundi i luftës së Kosovës.

Konflikti ka përfunduar në vitin 1999, por nga mijëra që ishin të zhdukur tani kanë mbetur edhe 1664 të pagjetur. Për Xhafën, çështjet e ngritura nuk janë të kufizuara vetëm në gjeografinë e Ballkanit, por ato ndërlidhen edhe me konfliktet aktuale, kudo hasim të zhvendosur dhe të zhdukur.

Vepra përbëhet nga një hapësirë që duket boshe, por me një shtëpizë të mbështjellë me najlon. Shtëpiza është e ndërtuar nga disa paleta druri që zakonisht përdoren për të transportuar mallra, dhe në shtëpizë shkruan e humbur dhe e gjetur.

Gjatë ditëve të hapjes së ekspozitës një telall do të endet në Giardini dhe kohë pas kohe do të thërret emrat e njerëzve të zhdukur. Gjatë hapjes, artisti Sislej Xhafa pati emocione dhe dukshëm e la veprën që ajo të flasë vet.

`Kujtimet dhe përvoja janë gjëra të vërteta` tha Sislej Xhafa në hapjen e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias. Puna artistike e Xhafës gjendet në Arsennale në Venecia ndërsa do të qëndrojë e hapur deri në fund të Bienales, deri në muajin nëntor të këtij viti. /KultPlus.com