Zëvendësministrja e Kulturës nuk pranon të flasë për skandalin e dhëndrit të Nait Hasanit

Zëvendësministrja e Kulturës nuk pranon të flasë për skandalin e dhëndrit të Nait Hasanit

Përkundër se kanë kaluar një javë që kur Qeveria e Kosovës, preku rezervat e shtetit për t’i ndarë 180 mijë euro filmit “Lojë jetë” të regjisorit Luan Kryeziut njëherësh dhëndrit të Nait Hasanit, ende vazhdon misteri se si u bë kjo ndarje.

Zëvendësministrja Leonora Morina-Bunjaku, e cila kishte përfaqësuar Ministrinë e Kulturës në mbledhjen e qeverisë, ka refuzuar të flasë edhe pas një jave për këtë rast.

Vetë zv/ministrja Bunjaku kishte propozuar që t’i ndahen fonde për filmin e regjisorit Luan Kryeziu, pa e ditur koston e filmit. Arsyeja se përse kishte propozuar që t’i ndahen fondet pikërisht këtij filmi mbetet ende mister.

Insajderi ka telefonuar sot zv/ministren Bunjaku, për të pyetur se si ka ardhë deri te propozimim i atij projekti, por ajo nuk ka dashur të flasë lidhur me këtë skandal.

Megjithatë për propozimin e zv/ministres është distancuar Ministria e Kulturës.

Ministria e Kulturës i ka thanë Insajderit se nuk e kanë bërë këtë kërkesë dhe nuk janë në dijeni, pasi që, siç tha këshilltari i ministrit Kujtim Gashi, Samir Hoxha, këta të dy kanë qenë në udhëtim jashtë shteti.

“Lojë jete” arriti të subvencionohet direkt nga Qeveria e Kosovës, pas dështimit në konkursin e vitit 2018-të të Qendrës Kinematografike të Kosovës. “Lojë jete”, është projekt i cili thuhet se do të jetë koproduksion në mes Kosovës dhe SHBA-së.

Ky projekt vjen nga dhëndri i Nait Hasanit, i cili vitin e kaluar pati bërë bujë në medie për deklaratën e tij se kinse ka refuzuar aktorin e njohur serb Rade Serbedzija, për ta jetësuar personazhin e Adem Jasharit në filmin që sipas Kryeziut do e bënte për të.

Vendimi i 12 shkurtit i Qeverisë së Kosovës, shkelë dy ligje si atë të Kinematografisë dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, kjo pasi që, mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë. Luan Kryeziu brenda dy muajsh arriti të marrë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rreth 200 mijë euro, duke llogaritur këtu edhe 18 mijë euro që RTK, i dha dhëndrit të deputetit për ta shfaqur filmin ‘Heroi’, film ky i cili premierën e ka pasur në vitin 2014-të./ Insajderi.com