Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke përfshirë edhe veprimin e fundit, shfaqjen e një dokumentari për trashëgiminë kulturore të Kosovës, ku kosovarët krahasohen me pjesëtarët e ISIS-it të cilët kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore në shumë vende të Lindjes së Mesme.
Por Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asgjë në lidhje me këtë por është mjaftuar me vetëm një komunikatë për media përmes së cilës e ka dënuar shfaqjen e këtij dokumentari në Paris, para një audience të përzgjedhur e që kanë rol në lobingun e UNESCO-s.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, thuhet në komunikatë.
Dokumentari i Serbisë kundër Kosovës në UNESCO, premierë në Paris
Sipas Zyrës se Kryeministrit, shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, “është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës”.
Më pas, Qeveria ka vazhduar të konkludojë se “trashëgimia kulturore e Kosovës i takon qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”.
Ka akuzuar Serbinë si penguese kryesore në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO gjë që edhe qëllimi i shfaqjes së dokumentarit por pa treguar nëse Kosova do të ndërmarrë ndonjë hap apo fushatë për të përmbysur pretendimet e Serbisë mbi trashëgiminë kulturore në Kosovë./Insajderi.com