Zyrtare: Eurovizioni refuzon Kosovën

Zyrtare: Eurovizioni refuzon Kosovën

Kosova as në vitin 2018 nuk do të jetë pjesë e festivalit evropian të këngës “Eurovizion”.

Kështu RTK, transmetuesi kombëtar kosovar i ka konfirmuar “ESCToday” se Kosova nuk do të debutojë në konkursin e ardhshëm të Eurovizionit 2018 që do të mbahet në Lisbonë.

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala në një intervistë për “ESCToday” ka thënë se mos pranimi i Kosovës as këtë vit në festivalin e këngës është shumë e padrejtë.

“Pas fitores së Portugalisë në Ukrainë, ne ishim të sigurt se do të merrnim pjesë në ESC pasi Portugalia e njohu pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu aplikuam zyrtarisht dhe kishte shumë referenca nga shumë organizata që na mbështetën në këtë drejtim. Ishim shumë të sigurt se lajmi do të ishte pozitiv. Por ne mbetëm të befasuar kur erdhi një letër nga EBU që na tregoi se Kosova për momentin nuk mund të marrë pjesë në ESC sepse nuk është anëtare e OKB-së”, ka treguar Shala.

Koncerti i Këngës Eurovision 2018 është planifikuar të mbahet më 8, 10 dhe 12 maj në Lisbonë, Portugali.

Afati i fundit për transmetuesit që të aplikojnë zyrtarisht për Eurovizionin 2018 përfundoi më 15 shtator. /Insajderi.com