
Besëlidhja e Lezhës e njohur edhe si Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Princave Shqiptarë të viteve 1444, të cilët dëshironin të shkëputen nga lidhja me perandorin osmane e cila krijohej me ndikimin ushtarak Osman.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, të cilin e organizoi Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që më këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.
Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të Besëlidhjes, nga të ardhurat e principatës së Kastriotëve dhe nga shëllinat (minat e kripës) e Kampopeshkupit, afër Shën Kollit, në veri të Durrësit. Vlerën e një ushtrie të gatshme për luftë në çdo minutë Skënderbeu e kishte parë tek shërbimet e Jeniçerëve. Fitimet e Turqisë i detyroheshin këtij trupi ushtarak i cili ishte themeluar nga Sulltan Orhani.
Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do t’i zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit i cili ato sipas marrëveshjes do t’i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.
Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.
Për më shumë vite e shekuj e edhe sot ky kuvend merret si shembull i krijimit dhe mbajtjeve të kuvendeve me karakteristika shqiptare demokratike në të cilat vendosë shumica e pjesëmarrësve dhe udhëhiqen nga një i ri që respekton mendimet e pleqërisë shqiptare.