Kartëmonedha e re 50-euro që del në treg sot (04.04) do të jetë shumë e mbrojtur nga falsifikimet. Me kartëmonedhat lidhen histori të çuditshme nga madhësia sa një pullë poste deri tek shifra miliardëshe për një bukë.
Deri më tani kartëmonedha më e vogël në botë ka ardhur nga Rumania. Në vitin 1917 Banka Kombëtare e Bukureshtit nxori në qarkullim një kartëmonedhë 10-bani – si valutë në nevojë. Për shkak se gjatë Luftës së Parë Botërore lëndët e para për prodhimin e monedhave metalike ishin shumë të kufizuara, duhej që të përdoreshin kartëmonedha edhe për vlera të ulët të parave. Kartëmonedha e atëhershme rumune me 27,5 herë 38 milimetër në ngjyrë kafe-të gjelbër kishte madhësinë e një pulle poste.
Ndërsa e papërshtatshme për kuletat ishte kartëmonedha më e madhe në botë, bankënota filipinase 100.000 piso, e madhe sa një letër shtypi – DIN A4. Ajo u prodhua në vitin 1998, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Filipineve.
Valuta më me vlerë me të cilën mund të blije më shumë gjëra ka qenë dollari i Singaporit me një vlerë 6000 prej eurosh. E futur në qarkullim në vitin 1973, ajo u nxor ngadalë nga qarkullimi në vitin 2004 për të penguar larjen e parave.
Nga Zimbabve vjen kartëmonedha me vlerën më të madhe shifrore – kartëmonedha 100 bilionë dollarë. Si reagim i inflacionit galopant në vendin afrikan, ajo u vu në qarkullim për të vepruar kundër këtij fenomeni. Për një kohë të caktuar madje në Zimbabve një bukë kushtonte 300 miliardë dollarë zimbabvesë.
Kartëmonedha të forta
Prodhimi i kartëmonedhave i nënshtrohet prej kohësh teknologjisë më të lartë, jo vetëm për t’i mbrojtur ato nga falsifikimet. Kartëmonedhat në euro nuk dëmtohen nga larja në lavatriçe me temperaturën 90 gradë, as zhubravitja e açetoni kundër manekyrit nuk përbën ndonjë problem për to. Para se të dalin në qarkullim ato duhet të kalojnë teste mjaft të vështira.
Por për shkak se përdoren më shpesh kartëmonedhat 5-eurosh kanë jetëgjatësi më të shkurtër, dhe pas 6 muajsh tërhiqen nga qarkullimi. Ndërsa ato 200 – apo 500 euroshe jetojnë me vite, sepse shumicën e kohës e kalojnë në kasaforta./DW/