Aktiviteti ‘’Hack Day Kosova 2017’’, që organizohet nga UBT CERT, është pranuar në fushatën më të madhe të BE-së dhe po promovohet në kalendarin e ngjarjeve, që do të organizohen në kuadër të muajit Evropian të Sigurisë Kibernetike (ECSM), që fillon në muajin tetor.
Fushata e ECSM-së ka për qëllim të bëjë vetëdijesimin qytetarëve dhe organizatave për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe për sigurinë e informacionit, si dhe po paraqiten hapat më të thjeshtë që mund të merren për të mbrojtur të dhënat dhe burimet e tyre.
Kërkesa për t’u pranuar në fushatën më të madhe zyrtare të BE-së ishte bërë vitin e kaluar nga UBT CERT, teksa këtë vit Kosova u listua në mesin e vendeve që organizojnë evente për nder të muajit tetor, që cilësohet si muaji evropian i sigurisë kibernetike.
Me këtë rast, drejtuesit e UBT CERT kanë theksuar se njohja ndërkombëtare dhe pranimi i shpërndarjes së njoftimeve për këto aktivitete është hap pozitiv për Kosovën, njëherësh promovon edhe punën e UBT CERT.
Edicioni i dytë i “Hack Day Kosova 2017” do të mbahet më 12-14 tetor 2017, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan.
UBT si institucion i arsimit të lartë në Kosovë, është lider rajonal në fushën Shkencave Kompjuterike, Sistemeve të Informacionit etj., ku edhe këtë vit përmes divizionit UBT CERTt, ka marrë përsipër organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit të rëndësishëm kushtuar sigurisë kibernetike, “HackDay Kosova 2017”.