Tradicionalisht e përkufizuar si një përzirje ndërmjet psikologjisë dhe ekonomisë e cila shërben si strukturë bazë në vendimmarrjen e një individi, neuroekonomia është e bazuar në dy elemente kryesore: së pari vërteton që efekti psikologjik i individit në treg të hapur (qoftë si rezultat i lëvizjeve të tregut apo edhe preferencave individuale) mund të ndikoj në vërtetim apo refuzim të teorive ekonomike dhe së dyti, në një aspekt më psikologjik, tregon që jo domosdoshmërist zgjedhjet më optimale nga individë të ndryshëm përcaktojnë nivelin e kënaqësisë që sjellin ato.
Ideja e trajtimit të ekonomisë si një fushë e përgjithshme studimi nuk përkon me principet e neuroekonomisë. Përkrahësit e kësaj fushe argumentojnë që ekonomia duhet të distancohet nga modeli i thjeshtësuar i vendimmarrjes dhe interesit racional për shkak të një kompleksiteti të pallogaritur të natyrës njerëzore.
Njëri nga sukseset më të hershme i cili daton nga vitet e 1980-ta erdhi nga përdorimi i neuroshkencës si mënyrë për të hedhur dritë mbi të metat e metodave të “ekonomiksit” të përgjithshëm dhe atij klasik. Si shembull bazë është edhe “loja e ultimatumit” e njohur në ekonomi si eksperiment i cili përfshin dy individë, ofertuesin, i cili propozon një ndarje të një shume të parave midis një lojtari/individi të dytë apo mbajtjen e të hollave për vete. Lojtari/individi i dytë duhet ose të pranoj shumën e caktuar ose t’a refuzoj atë.
Në rast refuzimi, të dy mbesin pa të holla.
Sipas teorisë klasike të ekonomisë, përderisa lojtari/individi i parë i ofron të dytit një shumë të caktuar parash, ky i dyti gjithmonë do të pranoj duke u nisur në principin “më mirë dicka se sa asgjë”. Mirëpo, të menduarit nga pikëpamja e neuroekonomisë shtyn shpesh lojtarin/individin e dytë të refuzoj ofertën e lartpërmendur për aryse se oferta e ndarjes së parave ndërmjet dy lojtarëve mund të shihet si e padrejtë në aspekt të përqindjes.
Kjo fushë relativisht e re studimi e ekonomisë ka edhe kundërshtarët e saj, respektivisht dy profesorët e Universiteti të Princeton, Faruk Gul dhe Wolfgang Pesendorfer të cilat konkludojnë që neuroshkenca nuk mund t’a tranformojë ekonominë si fushë më humane pasi që ajo cka ndodhe brenda trurit të njeriut është pak e rëndësishme për ekonominë në përgjithësi. Ajo cka ka rëndësi shtojnë ata, është vendimet që njerëzit marrin si tërësi dhe jo procesi se si arrihen ato vendime.
Në fund, neuroekonomia si shkencë shihet potencialisht si një fushë studimi në rritje, e cila mund të rezultoj në zbulime të mëdha socio-ekonomike, por edhe mund të stagnoj në mungesë të eksperimenteve apo teorive të duhura. Një kuptim më i thellë dhe më i detajizuar i neuroekonomisë është dekada larg, por nuk mund të arrijmë atje pa filluar diku.