Ata protestojnë kundër kompromisit për emër të Maqedonisë, ndërsa organizatorët paralajmërojnë deri një milion demonstrues.
Disa qindra mijëra njerëz janë mbledhur në Athinë në mënyrë që të protestojnë kundër kompromisit të mundshëm rreth emrit të Maqedonisë të cilin po e paralajmëron qeveria e Alexis Tsipras’it.
Organizatorët presin që në Sheshin Sintagma, i cilli viteve të fundit ishte vendi i protestave të mëdha për shkak të krizës ekonomike, të mblidhen edhe deri një milion njerëz.
Për shkak të protestave, të cilat kanë filluar të dielën në orët e pasdites, kryeqyteti grek është nën bllokadë të policisë. Mediet greke pretendojnë se në qytet janë shpërndarë rreth 4.000 policë.
Grekët protestojnë sepse janë kundër përdorimit të fjalës Maqedoni në emrin e ish republikës jugosllave, transmeton Insajderi.com.
Kjo protestë, e dyta për pesëmbëdhjet ditët e fundit, organizohet dhe financohet nga diaspora greke, pensionistët ushtarak, grupet kishtare dhe shoqatat kulturore nga krahina greke Maqedonia.
“Do të jetë madhështore. Ky do të jetë mesazhi i fortë për ata brenda dhe jashtë Greqisë”, i ka thënë gazetarëve zëdhënësi i organizatorëve Mihalis Patsikas.
Protestat e mbajtura më 21 janar në Selanik kanë mbledhur më shumë se 90.000 njerëz sipas vlerësimit të policisë, ndërsa 400 deri 500 mijë sipas vlerësimit të organizatorëve.
Sipas hulumtimeve të opinionit publik, gati 60 për qind të grekëve e kundërshtojnë përdorimin e emrit Maqedoni në emërtimin e ish republikës jugosllave.
Protestat mbahen pasi që emisari i posaçëm i KB Matthew Nimetz vizitoi Athinën dhe Shkupin, ku me zyrtarët e atjeshëm bisedoi mbi zgjidhjet e mundshme të kontestit 25 vjeçar.
Ai ka deklaruar se është optimist dhe se të dyja palët kanë vullnet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët./Insajderi.com.