Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e importit në Kosovë kanë shënuar rritje 3.4 për qind.
Kjo vlen për tre mujorin e dytë të këtij vitit, krahasuar me tremujorin e parë.
Ngritjet më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin tek instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (12.8%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (11.7%); vajrat ushqyese (10.0%); produktet minerale (8.1%) etj.
Çmimet e importit në Kosovë patën ngritje në një mesatare prej 7.7% ndërmjet tremujorit të dytë 2021 dhe të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Ngritjet më të mëdha ishin te produktet minerale (22.6%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (19.3%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (14.6%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (14.4%); vajrat ushqyese (10.0%) etj.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te tekstili dhe artikujt e tekstilit 6.2%, letra dhe artikujt e saj 5.1%, dhe këpucët 1.9%. /Insajderi.com