Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se do të organizojë tubim para ndërtesës së Qeverisë të martën, si shenjë revolte për mos-hapjen e sezonit veror, përcjell Insajderi.
Sipas njoftimit, tubimi do të organizohet duke filluar nga ora 18:00.
“Mungesa e vaksinave, mosshqyrtimi i masave në fuqi, mosplanifikimi për hapje te verës, mos bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë në hartimin e masave për të gjithë është pakënaqësi e madhe, sidomos kur rajoni po hapet. Pasi që kërkesat tona po bien në vesh të shurdhër, zgjidhja e vetme është dalja në rrugë për të shprehur pakënaqësinë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
“Andaj, ju ftojmë të martën, në ora 18:00, me datë 25.05.2021, që të mblidhemi në sheshin “Skënderbeu” (para Qeverisë) duke kërkuar hapjen e verës, verës që na mbanë gjallë të gjithëve. Revoltohemi me distancë dhe maska, duke respektuar rregullat e pandemisë. Me një vaksinë nuk çel Vera. Ta kthejmë lumtuninë dhe ekonominë në vend”, përfundon njoftimi./Insajderi.com