1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova

1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova

Në një tryezë të mbajtur nga instituti GAP, Nora Hasani, nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare tha se 1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova, njofton Insajderi.

Ajo deklaroi se pandemia e ka vështirësuar shume situatën në sektorin privat dhe largimin nga Kosova e cilësoi si shumë shqetësuese.

“Çka po ndodh aktualisht në sektorin privat në Kosovë, mund të themi se pandemia e ka vështirësuar situatën. Edhe prej studimeve del se është sfidë që bizneset të rriten. 1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova dhe kjo është shumë shqetësuese”, tha ajo në tryezën me temën “Ikja e fuqisë punëtore nga Kosova: Sa do të ndikojë pandemia dhe rregullat e reja të migrimit të Gjermanisë në këtë fenomen?.

Në anën tjetër, Gentian Gashi, hulumtues në GAP, tha se pandemia ka ndikuar edhe në migrimin e qytetarëve nga Kosova për në Gjermani.

“Në të njëjtën kohë edhe në Kosovë shkalla e papunësisë arriti në 27.2 për qind në tremujorin e dytë dhe numri i të punësuarve në tremujorin e parë të vitit 2020 kishte rënë për 50 mijë punëtorë. Pandemia ndikoi edhe në migrimin nga Kosova në Gjermani”, pohoi ai.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se rregullorja e miratuar në vitin 2016 nuk e kufizoi numrin e vizave që jepen.

Ai bëri të ditur se kanë lëshuar pesë mijë e  500 viza dhe se duhet që të plotësohen kushtet ligjore nga të gjithë ata që duan të udhëtojnë në Gjermani.

“Asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka një numër maksimal të migrantëve për të hyrë në Gjermani. Vizat për studim, arsim, bashkim familjar jepen pa ndonjë kufizim, vetëm a plotësohen kushtet ligjore. Ambasada e Gjermanisë ka lëshuar pesë mijë e 500 viza për të gjitha llojet e punësimit”./Insajderi.com