Sulmi besohet të jetë kryer nga një vetëvrasës me bombë, ka thënë zëdhënësi i qeverisë së provincës Logar, Dedar Lawang.
Së paku 17 persona kanë mbetur të vdekur nga një shpërthim i fuqishëm i një veture-bombë në Afganistan, në provincën Logar, shkruan BBC, njofton Insajderi.
Shpërthimi vjen në prag të një armëpushimi të deklaruar nga Talibanët gjatë festës së Kurban Bajramit.
Talibanët kanë mohuar të jenë prapa këtij sulmi, ndërsa i ashtuquajturi Shteti Islamik ende nuk e ka komentuar ngjarjen.
Sulmi besohet të jetë kryer nga një vetëvrasës me bombë, ka thënë zëdhënësi i qeverisë së provincës, Dedar Lawang, për agjencinë e lajmeve AFP.
Shpërthimi ka ndodhur afër zyrës së guvernatorit dhe në një vend ku kishte shumë njerëz që po bënin Pazar për Bajram.
“Terroristët edhe një herë tjetër, po sulmojnë në natën e Kurban Bajramit, dhe kanë vrarë shumë bashkëpatriotë”, ka pohuar ministri i Brendshëm, Tariq Arian.
Zëdhënësi i Talebanëve, Zabihullah Mujahid, pohoi se ky sulm “s’ka asgjë të bëjë me ne”.
Talebanët dhe qeveria e Afganistanit janë pajtuar për një armëpushim tre ditore për festën e Bajramit.
Ka pasur shpresë edhe për një pajtim të përhershëm mes tyre, por bisedimet për paqe janë vonuar për shkak të një problem me shkëmbimin e të burgosurve.
Një marrëveshje ishte bërë që qeveria do të lironte 5000 talebanë, në shkëmbim për 1000 të burgosur të tyre që mbahen nga talebanët.
Qeveria afgane ka liruar më shumë se 4400 të burgosur talebanë, por është thënë se talebanët ende nuk kanë liruar asnjë të palës tjetër./Insajderi.com