Kosova U-19 e ka mposhtur me rezultat 2 me 1 përfaqësuesen e 19-vjeçarëve të Izraelit, në ndeshjen e zhvilluar sot në Austri, të vlefshme për parakualifikimet e Kampionatit Evropian.
Futbollisti 18-vjeçar i Dritës së Gjilanit, Leotrim Kryeziu ishte heroi i ndeshjes. Ai realizoi 2 gola brenda tre minutave, raporton Insajderi.
Izraeli kaloi e para në epërsi me golin e shënuar nga Ernest Almog, derisa Kosova riktheu rezultatin me dy golat e Kryeziut, në minutat 41′ dhe 44′. Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më gola, çka bëri që Kosova U-19 të merrte tri pikë në një ndeshje zyrtare, për herë të parë në histori të saj .
Përfaqësuesja U-19 e Kosovës ndodhet në Grupin 6 parakualifikues për Kampionatin Evropian, së bashku me Izraelin, Austrinë dhe Lituaninë. 19-vjeçarët e Kosovës ndodhen në pozitën e dytë në grup, pas dy ndeshjeve të zhvilluara, me tri pikë të grumbulluara. Në vendin e parë ndodhet Austria me 6 pikë.
Ndeshjen e parë në grup, të zhvilluar të martën, Kosova e kishte humbur ndaj Austrisë me rezultat minimal 1-0.
Nëse Kosova arrin ta mbrojë pozitën e dytë në grup, atëherë do ta kalonte fazën e parë të kualifikimeve për Evropian. /Insajderi.com