28 persona kanë vdekur dhe 40 të tjerë janë plagosur pasi që një autobus me pasagjerë është përfshirë në një aksident me një kamion në Pakistan, transmeton Insajderi.
Autobusi ka qenë duke udhëtuar nga qyteti industrial Sialkot në Dera Ghazi Khan, në provincën Punxhab.
Shumica e të vdekurve dhe të plagosurve kanë qenë punëtorë, të cilët kanë qenë duke u kthyer nëpër shtëpi, për të festuar me familjet e tyre festën islame të Kurban Bajramit, që këtë vit shënohet me 20 korrik.
Disa prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje kritike, ndërsa hetimet për shkakun e aksidentit tashmë kanë nisur.
Aksidentet vdekjeprurëse janë të zakonshme në rrugët e Pakistanit.
Rrugët e këqija, makinat e pamirëmbajtura dhe mosrespektimi i shenjave të trafikut besohet se çojnë në mijëra vdekje çdo vit./Insajderi.com