
Radio Televizioni i Kosovës njofton të gjithë operatorët kabllorë se nuk ka asnjë marrëveshje me asnjërën prej tyre sa i përket transmetimit ose ritransmetimit të ndeshjeve të kampionatit EURO 2016.
RTK ka te drejtat për transmetimin tokësorë të EURO2016 për të cilën posedon edhe kontratën.
Në baze të nenit 12.2 i Rregullores për distribuim kabllor te programeve radio-televizive i obligon te gjithë kablloret qe ta bartin pa asnjë kusht programin tokësor të RTK-së.
Neni 12.2 thotë:
“Të gjitha sistemet kabllore janë të obliguara ta transmetojnë transmetuesin publik RTK. RTK-ja duhet të bartet pa pagesë. RTK-ja duhet të ofrojë programin e njëjtë për transmetim përmes kabllorit si atë që ofron edhe përmes transmetimit tokësorë”.
Operatorët kabllorë përveç që e kanë obligim ligjor të bartin programet e RTK pa kompensim, nuk e kanë asnjë të drejtë tjetër për të promovuar në emër të kampionatit platformat e tyre dhe të përfitojnë nga të drejtat që i ka RTK për transmetimin e ndeshjeve të EURO2016. Sot kemi parë që operatori kabllorë Kujtesa e ka publikuar në faqen e tyre në facebook se ka marrëveshje me RTK për transmetimin e ndeshjeve të EURO2016 madje duke thënë se këto ndeshje do të transmetohen edhe në njërin nga kanalet e tyre. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe kërkojmë nga Kujtesa që mos të manipulojë opinionin dhe të zbatojë obligimet ligjore ashtu siç janë.
Vetëm duam t’ua kujtojmë operatorëve kabllorë se RTK1 e kanë obligim ligjor ta transmetojnë dhe gjatë kohës së Kamiponatit EURO2016 nuk guxojnë ta ndalin transmetimin e RTK që është free edhe nëse klientëve të tyre u skadon parapagimi.
Në të kundërtën do t’u mohohet e drejta e transmetimit të RTK1 gjatë kohës së kampionatit që do ta dëmtonte shumë RTK dhe vet operatorët kabllorë. Edhe njëherë kërkojmë nga operatorët kabllorë që në asnjë formë mos të proklamohen se kanë marrëveshje me RTK për transmetim ose ritransmetim të EURO2016, sepse nuk e kanë një gjë të tillë, përpos siç parashihet me rregulloren e KPM për shpërndarjen e shërbimeve mediale dhe audio vizuale neni 12.2.
Transmetuesi publik i Kosovës e ka të drejtën eksluzive për të transmetuar Kampionatin Evropian brenda territorit të Kosovës. /Insajderi.com