fbpx

Historia e ‘Mbretit të Kokainës’ në Ballkan

Shpërndarësi kryesor i drogës në Ballkan, Darko Shariq nuk është i huaj për gjykatat në Serbi. Storiet për gjykimet e tij që po vazhdojnë akoma janë publikuar në ballinat e gazetave serbe në vitet e kaluara, duke e ngritur atë nga një person i krimit të organizuar në një figurë për të cilin flitet më së shumti në Serbi.

Historia e ‘Mbretit të Kokainës’ në Ballkan

Njeriu i quajtur ‘Mbreti i Kokainës’ i Ballkanit, është përshkruar në mediat rajonale si truri i rrjetit dhe operacionit më të madh të trafikimit të drogës në rajon, që nga koha kur emri i tij doli në sipërfaqe për herë të parë kur ishte i përfshirë në një konfiskim masiv të kokainës në vitin 2009.

Ai me disa bashkëpunëtorë të tij akuzohen edhe për pastrimin e 22 milionë eurove, përfitime këto nga trafikimet për një vit.

Disa prej 18 njerëzve të grupit që janë arrestuar kanë nënshkruar marrëveshjet e pranimit të fajësisë.

Mbreti i pakapshëm i drogës operoi përpara syve të autoriteteve të drejtësisë në disa shtete për vite me radhë dhe suksesi i tij pjesërisht është falë lidhjeve të tij që ka pasur me biznismenë dhe zyrtarë të fuqishëm nga Serbia dhe Mali i Zi.

Në qershor të vitit 2015, Shariq ishte dënuar me 20 vjet burgim me akuzën e trafikimit të drogës, për të cilën ai ka apeluar.

Ndërkaq, gjykimi i tij i gjatë për pastrim parash i cili filloi në vitin 2011, është duke vazhduar akoma.

Shariq doli para gjykatës që të përballet me akuzat për pastrim parash sërish në dëgjim më 14 janar të këtij viti. Kjo është hera e dytë që rifilloi gjykimi për pastrimin e parave, për shkak të shkaqeve administrative në sistemin juridik të Serbisë.

Pamja dhe sipërfaqja e kartelit të kokainës

Në tetor të vitit 2009, zbatuesit e ligjit dhe autoritetet e drejtësisë në Uruguaj kishin konfiskuar dy tonë kokainë nga një jaht me flamur britanik me emrin “Maui” në portin e Santiago Vasquez, në perëndim të Montevideos, kryeqytetit të Uruguajit. Dy persona ishin arrestuar, një uruguajan dhe tjetri shtetas i Kroacisë.

Të dy ishin pjesë e grupit të cilët po tentonin që të transferojnë kokainën nga jahti në një anije më të madhe e cila do të arrinte në Evropën Perëndimore. Sidoqoftë, kargoja është ndërprerë me intervenimin dhe operacionin e policisë të emëruar “Luftëtari nga Ballkani” – një operacion i gjatë mes Autoritetit për luftën kundër drogës të SHBA-ve (DEA) dhe Agjencisë së Inteligjencës Serbe (BIA) dhe policisë në Urugaj dhe Argjentinë.

Tre persona që ishin akuzuar për përfshirje në trafikimin e drogës u arrestuan ditën e njejtë dhe shumë arrestime të tjera pasuan në Serbi.  Disa nga të dyshuarit kanë qenë me prapavijë si të dënuar për krime dhe të njohur nga autoritetet.

Njëri nga tre të parët që u arrestuan ishte Zeljko Vujanoviq, i cili u kap në një klub nate të quajtur “Casino” të cilin ai e menaxhonte. Klubi ishte në pronësi të një familjari të Shariq.

Darko Shariq

Së shpejti, Shariq do të emërohej si truri i grupit të fuqishëm  ballkanik të krimit të organizuar i cili ka trafikuar në masa të mëdha kokainë në Evropë mes viteve 2006 dhe 2009 nga shtetet e Amerikës Latine si Brazili, Argjentina dhe Uruguaji.

Droga ishte transportuar nga bregdeti i lindjes në Amerikën Jugore në Itali, Spanjë, Greqi dhe shtete të tjera në Evropën Perëndimore.

Edhe pse ai ka pasur në pronësi të ndërtesave, kafiterive, klubeve të natës, restauranteve dhe shumë kompanive në Serbi, Shariq nuk ishte shumë i njohur për publikun. Hetuesit thonë se kanë ditur për përfshirjen e tij me drogën që nga viti 2005, por nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tij deri në vitin 2008.

Slobodan Homen, ish-Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, ka thënë se grupi i Shariqit ka mbledhur miliarda dollarë gjatë këtyre operacioneve.

Shariq ishte zhdukur dhe ishte fshehur pas konfiskimit në Uruguaj dhe në Janar të vitit 2010, Serbia kishte lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar për të. Mes viteve 2010 dhe 2012, prokurorët kishin përgatitur tetë aktakuza kundër tij, duke akuzuar atë për pastrim parash dhe organizimin e trafikimit të 5.7 tonëve të kokainës.

Shariqi ishte në arrati për katër vite deri në Mars të vitit 2014, kur ai u dorëzua vullnetarisht.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, Nikola Selakoviq, Shariqi e kishte nuhatur që autoritetet serbe ishin afër kapjes së tij dhe ka vendosur që të dorëzohet që të shmangë derdhjen e gjakut. Sidoqoftë, besohet se Shariq ka qenë në bisedime me qeverinë disa kohë para dorëzimit.

Gjatë gjykimit të tij për trafikim të drogës, Shariq thoshte se akuzat janë të motivuara politikisht, ngaqë qeveria e kaluar e Serbisë i kishte kërkuar atij që të dëshmojë kundër Malit të Zi, ku në dokumentin e siguruar nga OCCRP ai ka qenë depozitori kryesor në First Bank of Montenegro, e cila ishte kontrolluar nga familja e Kryeministrit të Malit të zi, Milo Gjukanoviq. Ai poashtu ka marrë huazime në kushte të mira nga banka e familjes së kryeministrit.

Megjithatë, ai ishte shpallur fajtor për trafikimin e kokainës dhe ishte dënuar me 20 vjet burg më 13 qershor të vitit 2015. Një numër i madh i bashkëpunëtorëve të tij u dënuan me burg të gjatë; disa, të cilët janë akoma në arrati u dënuan në mungesë. Ai aktualisht po apelon për dënimin e tij. Në Serbi politikanët, biznesmenët dhe trafikuesit e drogës shpesh marrin ulje të dënimeve të tyre gjatë procesit të apelit.

Shariq

 

Pastrim parash?

Prokurorët besojnë që Shariqi dhe bashkëpunëtorët e tij pastruan të ardhurat nga operacionet e tyre të trafikimit të drogës duke blerë aksione në një grup të kompanive serbe.

Në njërën prej tre aktakuzave për pastrim parash përshkruhet plani i grupit për të investuar 280 mijë euro nga paratë e drogës për të blerë 70 për qind të aksioneve në kompaninë shtetërore “Bratstvo”. Plani përfshinte një strategji për të fshehur blerësit e vërtetë të aksioneve. Prokurorët thonë se njëri nga të dyshuarit do të sillte një çantë të madhe me para në një bankë lokale, së bashku me letërnjoftimet e njerëzve të ndryshëm. Banka do të hapte llogari bankare për kët a njerëz dhe të dyshuarit do të depozitonin pjesë pjesë të parave të pista në llogaritë e tyre.

Paratë nga këto llogari më pas do t’i pagueshin kompanisë, e cila me anë të një marrëveshjeje të fshehtë me një kompani tjetër, do ta privatizonte “Bratstvo”-n.

Këto shuma asnjëherë nuk e kanë kaluar 15 mijëshin, shifër të cilën nëse e kalon banka duhet të raportojë transaksionet te Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Sipas OCCRP dhe KRIK, një listë e kompanive të Shariqit tregon se ai ka pastruar para duke privatizuar hotele në Serbi dhe duke blerë kompani dhe pronë nga njerëzit të cilët ose kanë qenë të akuzuar ose të dënuar për përfshirje në krimin e organizuar.

Ai ka kontrolluar një grup të kompanive në Serbi dhe Mal të Zi të cilat ishin përfshirë në aktivitete të ndryshme, nga media dhe ndërtimtaria deri te kopshtet për fëmijë dhe klube të natës.

Në vitin 2010, Shariq kishte dërguar letër prokurorëve duke thënë se ai është një biznismen legjitim i cili ka fituar paratë e tij legalisht. Në letër, Shariq shpjegon se ka fituar 30 milionë euro vetëm nga shitja e kompanisë distributore të Serbisë, Stampa Sistem.

Ajo që letra nuk përfshinte, sidoqoftë, është shpjegimi i Shariqit se si e kishte fituar kompaninë Stampa Sistem.

Gjykimi i tij për pastrim parash kishte filluar në shkurt të vitit 2011 dhe ai ka rifilluar dy here që nga ajo kohë.

Hera e parë që gjykimi kishte ngecur ka qenë në mars të vitit 2012, kur njëri nga gjyqtarët kryesues të rastit, Nada Zec, ishte zëvendësuar me gjyqtarin Aleksandar Tresnjev.

Tash, sipas KRIK-ut, e njëjta gjë ka ndodhur sërish.

Gjykatësi Vladimir Vuqiniq, i cili ka kryesuar me rastin për pesë vite, është transferuar të shërbej në një departament tjetër brenda Gjykatave të Larta të Serbisë që nga janari i këtij viti.

Gjykata e Lartë e Serbisë ka thënë se vendimi ka ardhur pasi që mandati i Vuqiniqit për shërbim në departamentin e krimit të organizuar ka përfunduar.

Sidoqoftë KRIK-u raporton se Vuqiniqi i kishte thënë gazetës “Politika” që ai ka dyshime për këtë vendim. Ai ka thënë se përveç tij, të gjithë gjyqtarëve në Departamentin Special për Krime të Organizuara u është zgjatur mandati.

Ai do të zëvendësohet nga gjykatësi Dragomir Gerashimoviq.

Sidoqoftë, sipas KRIK-ut, këto zhvillime nuk duhet ta shtyejnë gjykimin. Gjyqi nuk do të dëgjojë dëshmitë e mbrojtjes, e as evidenca kundër Shariqit dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk do të prezantohet sërish.

KRIK-u raporton se gjatë fillimit të gjykimitt më 14 janar, Shariq kishte thënë, “Unë qëndroj prapa asaj që kam thënë më herët. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë”.

Nuk dihet nëse ai do të përballet me dënim të gjatë burgu. Që nga ardhja në pushtet e Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq në vitin 2014, disa gjykatës, prokurorë, policë dhe agjentë të shërbimit sekret përgjegjës për “Luftëtarin e Ballkanit” dhe ndjekje të tjera penale të krimit të organizuar, janë larguar nga puna, zëvendësuar apo pensionuar.

Zyrtarët e Zbatimit Ndërkombëtar të Ligjit thonë se, Serbia nuk po bashkëpunon më me investigimet për krimin e organizuar. Në Serbi, ku drejtësia ka komponentë politike, afati i fundit i Shariqit mund të varet nga manovrat politike prapa skenës./Insajderi.com

 

Artikull i marrë nga Projekti për Raportim të Krimit të Organizuar (OCCRP).