Për rreth katër orë i është nevojitur gjyqtares, Naime Krasniqi për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve, Fitim Thaqit të dyshuarit për sulmin ndaj kryeredaktorit të Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazit.
Fillimisht ishte paraparë që kjo seancë të mbahej të hënën por prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa seanca është mbajtur të dielën me dyer të mbyllura. Aty qëndruan katër orë.
Masa prej 30 ditëve paraburgim është dhënë për shkak të dyshimeve se Thaqi mund të ndikojë tek dëshmitarët e rastit.
Vendimin e gjyqtares Krasniqi, avokati i Thaqit, Gazmend Halilaj e ka quajtur të pa arsyeshëm, i cili ka thënë se do të paraqesë ankesë për vendimin e gjyqtares.
“Vendimi i gjyqtares është i padrejtë sepse deklaratat e dëshmitarëve janë marrë dhe është marrë edhe raporti mjeko ligjorë, kështu që nuk ka çfarë të ndikojë. Unë menjëherë po shkojë që ta përgadisë një ankesë dhe qysh nesër do ta dorëzoj”, ka thënë Halilaj.
Madje avokati i Thaqit shprehej i bindur para se t’i caktohej masa e paraburgimit se vendimi i gjyqtares do të jetë në favor të klientit të tij.
“Unë jam shumë i sigurt se vendimi do të jetë në favor të Fitimit, nuk mundet me dhanë ma shumë se paraburgim shtëpiak”.
Por Thaqi pas përfundimit të seancës me duar të lidhura është shoqëruar nga policia për në paraburgim. Avokati i Thaqit para prokurores ka thënë se klienti i tij nuk e ka njohur fare gazetarin Kajtazi.
“Ai as nuk i lexon gazetat as ato sene nuk i intereson qa shkruan ai. Kjo ngjarje ka ndodhur rastësisht”, ka thënë Halilaj
Njejtë thonë edhe familjarët që shprehën të sigurt se Thaqi nuk ka të bëjë asgjë me politikë.
“Me e njoftë ata qysh e njohim na e lëshojnë menjëherë se Fitimi nuk ka lidhje me politikë”, kanë thënë familjarët e të dyshuarit.
Por ndryshe tregon gazetari Kajtazi. Ai ka thënë se deklaratat se sulmi ka qenë i rastësishëm nuk është i vërtetë ato janë vetëm për të shmangur paraburgimin.
“Deklaratat se ka qenë një përplasje me krah dhe këso gjërash janë vetëm për shkak për t’i shpëtuar paraburgimit”, ka thënë Kajtazi.
Thaqi kishte sulmuar kryeredaktorin e Insajderit, Vehbi Kajtazi, të premten në një kafiteri në Prishtinë duke i shkaktuar lëndime trupore. Thaqi kishte qëndruar në arrati për rreth dy ditë, ndërsa ishte dorëzuar vetëm të dielën në orët e hershme të mëngjesit.
Sulmuesi i Vehbi Kajtazit është nip i familjes së Azem Sylës. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Kosovës, Fitim Thaqi, ka lidhje dhe miqësi me Milaim Zekën dhe Faton Ramadanin, për të cilët Insajderi raportoi për skemën e mashtrimit të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.
Lidhjet e sulmuesit të gazetarit Kajtazi me Milaim Zekën e Azem Sylën
Prej korrikut të vitit të kaluar Milaim Zeka ka nisur një fushatë linçuese me gjuhë të urrejtjes kundër Insajderit dhe drejtuesve të këtij mediumi, Vehbi Kajtazi e Parim Olluri.
Zeka ka linçuar Kajtazin e Ollurin si bashkëpunëtor të Serbisë dhe shërbimit sekret serb, duke përhapur kështu pohime të pavërteta që motivojnë sulme deri në likuidim fizik.
Fitim Thaqi do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim për sulm fizikë ndaj kryeredaktorit të Gazetës Online Insajderi.
Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani