5 futbollistët e harruar të “projektit të Bunjakit”

5 futbollistët e harruar të “projektit të Bunjakit”

Lum Rexhepi 21-vjeçar, Alban Bunjaku 19-vjeçar, Enis Bunjaki dhe Zymer Bytyqi nga 17 vjeç ishin ftuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaki për ndeshjen e parë miqësore të përfaqësuesës së Kosovës ndaj Haitit më 4 mars të vitit 2014.

E për ndeshjet e radhës ndaj Turiqsë dhe Senegalit tre muaj më vonë, Bunjaki ftoi edhe një futbollist ri. Ishte 20-vjeçari i skuadrës së Union Berlinit Eroll Zejnullahu që kishte zënë vend në listën e Bunjakit.

Alban Bunjaku, i cili luante me skuadrën e dytë të Sevillës dhe Enis Bunjaki që luante po ashtu me skuadrat e të rinjve të Eintracht Frankfurtit padyshim që ishin befasi në listën e përfaqësueses. Ata nuk kishin luajtur asnjë minutë me skuadra profesioniste deri atëherë.

E kur Bunjaki pyetej për kontingjentin e futbollistëve të rinj në moshë, ai thoshte se këta futbollistë i përkasin të ardhmes së Kosovës dhe “projektit” të tij.

Pothuajse tre vjet më vonë, Bunjaki i ka hequr nga lista të pesë futbollistët e rinj. Disa prej tyre dështuan të bëjnë hapin e duhur në futbollin profesionist, e disa prej tyre nuk po kalojnë formë të mirë. Ashtu siç Bunjaki e parashihte dikur.

Lum Rexhepi

Rexhepi u ftua rregullisht nga përzgjedhësi i Kosovës deri në ndeshjen e parë zyrtare miqësore ndaj Ishujve Faroe, ku luajti 30 minuta në pjesën e dytë. Që prej asaj kohe, tashmë 24-vjeçari nuk është ftuar më në përfaqësuese.

Këtë stinor Rexhepi është transferuar tek skuadra holandeze Go Ahead Eagles, me të cilën ka luajtur vetëm 4 minuta lojë që prej transferimit në janar.

Alban Bunjaku

Në kohën kur u ftua nga emnaku i tij, trajneri Albert Bunjaki, tashmë 23-vjeçari luante me skuadrën e Sevillës B.

Më parë Alban Bunjaku kishte luajtur edhe me të rinjtë e Arsenalit, para se të transferohej në Spanjë. Megjithatë, futbollisti nga Kosova nuk arriti asnjëherë të paraqitej me skuadrën e parë të Sevillës.

Bunjaku u ftua vetëm për tre ndeshjet e para miqësore të Kosovës. Që nga maji i vitit 2014, ai nuk bën pjesë në “projektin e Albert Bunajkit”.

Zymer Bytyqi

Bytyqi ishte vetëm 17-vjeçar kur debutoi me Kosovën në ndeshjen e parë miqësore ndaj Haitit.

I konsideruar si njëri nga futbollistët më perspektivë të ligës së Norvegjisë, Bytyqi me të drejtë shihej si e ardhmja e Kosovës. Me ardhjen e tij, Kosova mendohej se kishte fituar një talent të madh.

Në vitin 2012, Bytyqi, i cili luan me Viking në Norvegji, kishte debutuar në kategorinë e parë norvegjeze si 15-vjeçar, duke thyer rekordin e futbollistit më të ri që debutonte në Elitteserien. Ky rekord më vonë u thye nga Martin Odegaard.

Por, Bytyqi nuk u ftua më asnjëherë nga Bunjaki për ndeshjet e Kosovës. Arsyet nuk dihen, edhe pse tanimë 20-vjeçari luan vazhdimisht me Vikingun në Norvegji.

Enis Bunjaki

Futbollisti i Eintracht Frankfurtit, i huazuar tek Twente në kategorinë e parë holandeze, ishte ftuar që në ndeshjen e parë miqësore të Kosovës ndaj Haitit, në mars të vitit 2014.

Bunjaki kishte qenë pjesë e listës së përzgjedhësit të Kosovës vetëm edhe për dy ndeshjet e ardhshme miqësore ndaj Senegalit dhe Turqisë. Që maji i vitit 2014, ai nuk bën pjesë në “projektin” e trajnerit të Kosovës.

Tanimë 19-vjeçar, Bunjaki nuk po kalon një formë të mirë tek Twente, pasi është paraqitur në vetëm 4 ndeshje këtë stinor me skuadrën holandeze.

Eroll Zejnullahu

Situata e Zejnullahut dallon nga futbollistët e tjerë të lartpërmendur. Futbollisti ishte ftuar për herë të parë në ndeshjet miqësore të muajit maj në vitin 2014.

Që nga ajo kohë, e deri në ndeshjet e tetorit të vitit të kaluar, të zhvilluara në kuadër të kualifikueseve për Botërorin “Rusia 2016” ndaj Turqisë dhe Ukrainës, Zejnullahu bënte pjesë në “projektin e Bunjakit”.

Por, forma e dobët që 22-vjeçari po kalon me skuadrën e tij Union Berlin në Bundesligën e dytë gjermane, ka bërë që ai të mosgrumbullohet për ndeshjen e fundit ndaj Kosovës.

Zejnullahu po kalon nëpër një formë të dobët në Bundesliga II. Ai ka zhvilluar vetëm 215 minuta lojë gjatë tërë stinorit 2016/17 në kategorinë e dytë gjermane. /Insajderi.com