6-vjeçarja irakiane e rrëmbyer nga ISIS-i, kthehet te prindërit e saj pas tri vitesh

6-vjeçarja irakiane e rrëmbyer nga ISIS-i, kthehet te prindërit e saj pas tri vitesh

Një vajzë gjashtë-vjeçare e krishtere irakiane, e kidnapuar nga Shteti Islamik kur kishte qenë tri-vjeçe, është ribashkuar me familjen e saj të premten, dhe po fillon të mësohet të thotë “nënë” dhe “baba” përsëri.

“Dita më e mirë në jetën time është dita kur Christina u kthye”, ka thënë nëna e saj, Aida Nuk, të shtunën, raporton Reuters.

Rrathë të zinj rreth syve janë dëshmi për shumë net pa gjumë që nga gushti i vitit 2014, kur militantët e kishin rrëmbyer Christinën nga ajo, disa javë pasi ata vërshuan në qytetin Qaraqosh, 15 km larg Mosulit.

“Ajo qëndroi për tri vite me terroristë. Sigurisht që ka harruar se kush është nëna e saj, kush është babai i saj, që ne jemi familja e saj, por ajo do të mësojë përsëri”, ka thënë Nuh.

Shteti Islamik ka kidnapuar me mijëra burra, gra dhe fëmijë nga minoriteti irakian, kryesisht jazidë.

Të krishterët të cilët nuk largoheshin apo nuk mundën të largoheshin në kohë ishin përballur me një ultimatum – paguaj taksë për mbrojtje, konvertoju në islam, ose vdis nga shpata. Disa, sikurse edhe Christina, ishin kidnapuar.

Familje të krishtere të cilat kishin mbetur në Qaraqosh ishin larguar me forcë më 22 gusht, 2014.

Militantët e kishin marrë Christinën nga minibusi i cili i kishte dërguar të dëbuarit në kufi të territorit të Shtetit Islamik, pasi kishin kërcënuar Aidën, e cila kishte rezistuar dëshpërimisht.

Tentimet e familjes për ta gjurmuar atë, përmes shokëve arabë, janë shpërblyer të premten, kur ata morën një thirrje e cila u tregoi se Christina është gjetur në një lagje të varfër në Mosul.

“Ne shkuam në një vend të papastër në lagjen Hayy el-Tanak, morrëm vajzën”, tha babai i verbër i Christinës, Khader Touma, tani i rrethuar nga familja e kompletuar.

Dy vëllezërit dhe dy motrat e Christinës ishin arratisur në territorin Kurd para ardhjes së militantëve.

“Jam me nënën dhe babanë”, tha Christina, duke luajtur me një lodër, në një shtëpi mobile e bërë për njerëz të shpërngulur dhe e cila gjendej në një lagje të krishtere në lindje të Mosulit.

Prindërit e saj thanë se tani shpresojnë të emigrojnë, të vendosin gjithë këtë mesele pas shpinës. Përderisa janë ende duke pritur në atë kabinë të vogël sepse shtëpia e tyre është shkatërruar pothuaj tërësisht gjatë luftës me militantët. /Insajderi.com