Thyesit e kodeve kanë thyer një shifër me 340 karaktere 51 vjet pasi ishte dërguar kinse në San Francisco Chronicles nga i ashtuquajturi Vrasës i Zodiakut, ka konfirmuar FBI, shkruan CNN, transmeton Insajderi.
Vrasësi, i cili nuk është kapur kurrë, vrau pesë persona me therje e të shtëna, ndodhi kjo që terrorizoi gjithë qytetin e San Francisco-s në fund të viteve 1960.
Mesazhi ishte një nga disa që ishin dërguar në gazeta asokohe, teksa vrasjet vazhdonin. Kodi u zgjidh nga tre persona nga ShBA, Belgjika dhe Australia.
“Shpresoj se do të argëtohesh shumë duke u përpjekur të më kapësh. Unë nuk kam frikë nga dhoma e gazit sepse do të më dërgojë në parajsë (sic) aq më shpejt sepse tani kam mjaft skllevër për të punuar për mua”, shkruhej në mesazh, pa dhënë asnjë detaj mbi identitetin e vrasësit.
Videoja e postuar në YouTube nga David Oranchak thotë se ai theu shifrën së bashku me matematikanin Sam Blake dhe belgun Jarl Van Eycke, një menaxher magazine dhe inxhinier i softuerit për thyerjen e kodeve.
Oranchak e përshkroi mesazhin si “mënyrë e Zodiac për të marrë vëmendje”. Ekipi i thyerjes së kodit, i cili përdori zgjuarsinë njerëzore dhe softuerin për të deshifruar mesazhin, u kushtoi përpjekjet e tyre viktimave dhe të afërmve të atyre që u vranë.
Duke konfirmuar thyerjen e kodit, FBI tha se vazhdonte të kërkonte drejtësi për të vrarët. /Insajderi.com