Të paktën 90 persona janë vrarë dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të dy bombave në perimetrin e Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai” të Kabulit, derisa civilët tentonin të iknin nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët, transmeton Insajderi.com.
Këtë e bëri të ditur një nga punonjësit shëndetësor të Kabulit, raporton “BBC”.
Pentagoni ka konfirmuar se nga të vdekurit janë edhe 13 shërbyes ushtarakë të SHBA-së.
Bombardimet erdhën disa orë pasi qeveritë perëndimore kishin paralajmëruar qytetarët e tyre që të qëndronin larg aeroportit, për shkak të një kërcënimi të afërt të një sulmi nga ISIS, dega në Afganistan.
Eksplodimi i parë ndodhi rreth orës 18:00 me kohë lokale, pranë hotelit Baron dhe afër perimetrit të Aeroportit.
Hotel Baron po përdorej nga autoritetet britaneze për të proceduar afganët që prisnin që të udhëtonin për në Mbretërinë e Bashkuar.
Eksplodimi u pasua me gjuajtje të armëve, ndërsa shpërthimi i dytë ndodhi afër portës Abbey, një nga portat kryesore për hyrje në Aeroport.
Raportet thonë se shpërthimi i dytë ndodhi pranë një kanali të ujërave të zeza ku afganët po prisnin, afër portës dhe nga eksplodimi disa viktima u hodhën në ujë.
Një zyrtar amerikan tha se të paktën një sulmues kishte veshur një jelek shpërthyes.
Qytetarët amerikanë që kishin shkuar në zonën përreth aeroportit ishin paralajmëruar para sulmit që të “largoheshin menjëherë”.
Akoma nuk është konfirmuar numri përfundimtar i viktimave amerikane e afgane, duke përfshirë këtu edhe talibanët, ani pse nga këta të fundit thuhet se deri më tani nuk ka pasur asnjë viktimë. /Insajderi.com