Hallakama 10 ditore e Donald Trumpit si president

Hallakama 10 ditore e Donald Trumpit si president

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, mbështetësit e Donald Trumpit i emociononte ideja se ai mund të bëhej “kryeçorientuesi” i Uashingtonit. Më pak se dy javë në krye të Shtëpisë së Bardhë, askush nuk mund ta vë më në dyshim se Trumpi po bën gjithçka për ta mbajtur këtë zotim.

Që prej shpalljes president në 20 janar, ai ka vepruar me shpejtësi për të realizuar ndryshimet e premtuara. Ka firmosur disa urdhra ekzekutivë që mund të shërbejnë si bazë për ndryshimin e shpejtë të disa elementëve kyçë të përparësive për politikat e tij të brendshme. Por vendimet e presidentit të ri për të kufizuar emigracionin dhe këmbëngulja e vazhdueshme për të hetuar rreth pretendimit të tij për manipulime me votat në zgjedhjet e nëntorit, janë kthyer në shpërqendrime të mëdha gjatë ditëve të para të punës si president.

Pakënaqësitë ndaj emigracionit

Urdhri i Trumpit i cili u ndalon hyrjen në Amerikë refugjatëve dhe emigrantëve nga shtatë vende me shumicë myslimane shkaktoi reagime si brenda edhe jashtë vendit. Ka pasur protesta në aeroportet amerikane si dhe në qytete të ndryshme, duke e cilësuar politikën e re si të padrejtë karshi emigrantëve.

Presidenti Trump është përgjigjur flakë për flalë në Twitter. “Nuk është aspak e këndshme të gjurmosh terroristët përpara se ata të hyjnë në vendin tonë,” shkruante ai në një twett mëngjesin e së hënës. Pastaj shtonte në një tjetër “ka shumë njerëz të këqij atje jashtë.”

Të hënën, presidenti i ri doli në mbrojtje të vendimit që ka marrë. “Ishte një ditë e mirë ajo e djeshmja, sa i takon sigurisë së vendit. Duhej ta bënim këtë lëvizje dhe e bëmë”.

Kundërshtime të zhurmshme

Demokratët ishin të shpejtë në kundërshtimin e tyre, e në disa raste, edhe të inatosur me urdhërin e presidentit Trump për emigracionin. Kryetari i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha të dielën, gjatë një konference për shtyp në Nju Jork, se kjo masë ishte “e pashpirtë” dhe shtoi se “mënyra se si u zbatua shkaktoi kaos dhe çorientim në gjithë vendin; nga ana tjetër, ky urdhër do të shërbejë vetëm për t’u dhënë zemër e për të frymëzuar kudo në botë ata që duan t’i bëjnë keq Amerikës.”

Edhe disa nga republikanët u dukën të pavendosur për ta mbështetur këtë masë të tejskajshme ndaj emigrantëve. Senatori republikan i Ohajos, Rob Portman, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se “propozimi i skajshëm i zotit Trump për “shqyrtimin e imtësishëm” të emigrantëve nuk iu nënshtrua vetë një “shqyrtimi të imtësishëm” siç kërkohet në këto raste.” Senatori Portman shtoi se administrata “duhet të gjejë një zgjidhje të kënaqshme për sigurinë kombëtare”, por gjithashtu duke i qëndruar besnike idesë se “Amerika ka qenë gjithmonë mikpritëse për refugjatët dhe emigrantët.”

Një furi veprimtarish

Ditët e para të presidentit Trump në detyrë nuk kanë qenë tjetër veçse një seri urdhërash ekzekutivë sa i përket tregëtisë, programit të kujdesit shëndetësor “Obamacare”, pakësimit të rregullave qeveritare si dhe, vendimi më polemizues, ai i shtrëngimit të politikave të emigracionit..

Zoti Trump tha se stuhia e kësaj veprimtarie ekzekutive ka si synim mbajtjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës. “Jemi këtu sepse dhjetra miliona amerikanë kanë vendosur shpresat e tyre në duart tona, për t’ia kthyer sërish popullit fuqinë e Uashingtonit,” tha presidenti i ri gjatë një fjalimi në kryeqytet javën e kaluar.

Por vëmendja e tij jo gjithmonë ka qënë e përqëndruar tek politikat.

Zakoni i presidentit për të bërë deklarata në Tëitter dhe shqetësimi për përmasat e turmave të pranishme në ditën e përurimit të tij, paraqesin sfida për stilin e tij të drejtimit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Paul Ryan, u pyet në lidhje me këtë javën e kaluar, gjatë një takimi të ligjvënësve republikanë në Filadelfia. “Mendoj se do të shikojmë veprimtari të pazakonta, si Tëitter-i e gjëra të ngjashme. Duhet të mësohemi me këtë,” tha ai.

Pretendimi për manipulimin e votave

Presidenti Trump ka kërkuar fillimin e hetimeve për mundësinë e manipulimeve gjatë votimit, siç ka pretenduar ai, por pa dhënë prova. Presidenti ka thënë se ishte vota e paligjshme e miliona emigrantëve ajo që e bëri atë të humbiste votën popullore ndaj kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton.

Demokratët nga ana tjetër thonë se nuk ka dëshmi për të mbështetur dyshimet e presidentit për një mashtrim masiv me votat.

Drejtuesja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesëve, demokratja Nancy Pelosi tha se kjo mani e presidentit të ri është shqetësuese. “Më vjen vërtet keq që ka këtë kërkesë. Më vjen keq për të. Madje jam lutur për të. Por pastaj u luta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha ajo.

Pretendimi i zotit Trump për një mashtrim të supozuar me votat është një shpërqëndrim që mund të bëhet pengesë politike gjatë rrugës, thotë analisti John Fortier i Bipartisan Policy Center, në Uashington.

“Ka çështje madhore si ndryshimi i Obamacare-it, apo ulja e taksave dhe zoti Trump ende e vë theksin te siguria në kufij dhe ndërtimi i murit me Meksikën; gjëra që besoj se do të përpiqen t’i zgjidhin relativisht shpejt dhe do ta shfrytëzojnë shumicën në Kongres përpara se vrulli i ditëve të para në krye të presidencës të zbehet,” i tha analisti Fortier “Zërit të Amerikës”.

Edhe disa republikanë e kanë nxitur presidentin të heqë dorë nga çështja e mashtrimit me votat, veçanërisht nga pretendimi i tij se humbi votën popullore ngaqë 3 deri në 5 milionë emigrantë votuan kundër tij. Komisionerë që kanë ndjekur nga afër votimin në të gjithë Amerikën, si republikanë ashtu edhe demokratë, janë shprehur se nuk ka dëshmi që të mbështesin një pretendim të tillë.

Sondazhe me rezutate të ndryshme

Presidenti Trump ka marrë disa lajme të përziera sa u përket sondazheve ditëve të fundit. Sipas një vëzhgimi të ri të i Universitetit të Kuinipiakut, votuesit e mbështesin ndalimin e hyrjes në SHBA të emigrantëve nga vende “me prirje terroriste”, por i njëjti sondazh nxorri se 59 për qind e të anketuarëve besojnë se emigrantëve të jashtëligjshëm u duhet lejuar qëndrimi në Amerikë, madje mundësisht të aplikojnë për shtetësinë.

Sa i përket punës së tij në përgjithësi, presidenti mbetet pas. Sondazhi i javës së shkuar nga Kuinipiaku nxorri se puna e tij ka marrë vlerësimin e vetëm 36 për qind të votuesëve dhe 44 për qind e tyre mendojnë se po bën punë të dobët.

Por nga vëzhgimi doli gjithashtu se zoti Trump gëzon mbështetje të fortë midis votuesëve republikanë, 81 për qind pro ndaj vetëm 3 për qind kundër. Midis demokratëve, vetëm 4 për qind miratojnë punën e tij dhe 77 përq ind e kritikojnë.

Mbështetësit kryesorë

Përkushtimi i zotit Trump për të zbatuar politikat që mbështesin përkrahësit e tij kryesorë duket se po i kthehet mbrapsht dhe ai po gëzon mbështetjen e këtij grupi. Por disa analistë besojnë se duhet të përpiqet ta zgjerojë rrethin e mbështetësve përtej atyre që tashmë i ka besnikë. “2.8 – 2.9 milionë më shumë njerëz votuan për Hilari Klintonin,” tha John Hudak, studiues në institutin Brookings. “Kjo jo për të thënë se mandati i tij nuk është i ligjshëm, sepse është, por për të përforcuar mendimin se presidentit të ri i duhet punë që ta bindë popullin amerikan se përfaqëson dhe pasqyron vlerat e shumicës.”

Megjithatë, për momentin, zoti Trump duket i vendosur që të mbajë premtimet që u bëri gjithë turmave të egërsuara gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar. Për të kënaqur mbështetësit dhe për të shqetësuar kritikët, presidenti vazhdon të çajë përpara, pavarësisht trysnisë së jashtme për t’u tërhequr nga politikat e tij. /VoA