Pas disfatës nga Feronikeli, trajneri i Gjilanit u kërkon falje tifozëve

Pas disfatës nga Feronikeli, trajneri i Gjilanit u kërkon falje tifozëve

Trajneri i Gjilanit, Gentijan Mezani, ka kërkuar falje nga fansat e klubit të Gjilanit, pas humbjes së thellë të tyre në Drenas, nga ekipi i Feronikelit.

“Mendoj që Feronikeli shfrytëzoi mirë gabimet tona. Ata e deshën fitoren më shumë dhe kjo ishte arsyeja se pse fitoi. Ne nuk arritëm të shfaqim atë që mund të shfaqim”, u shpreh Mezani pas ndeshjes, transmeton Insajderi.

“Kemi bërë gabime amatoreske si skuadër. Shpresoj t’i përmirësojmë sa më shpejtë sepse gabime të tilla nuk falen. Kampionati është i gjatë, por është mirë që gabimet t’i përmirësojmë më shpejtë”, shtoi ai.

“Kemi pasur mungesa, por s’duhet të shfajësohemi. Lojtarët që futen në fushë duhet të japin maksimumin e jo të pësojnë katër gola”.

“Unë e kam pasur gjithmonë mbështetjen e tifozëve, po ashtu edhe skuadra. Sot nuk i kemi gëzuar dhe besoj që duhet t’iu kërkojmë falje dhe që nga ndeshja tjetër të bëjmë më mirë”, përfundoi Gentijan Mezani./Insajderi.com.