Mesfushori shqiptar me tipare sulmuese, Kristal Abazaj, ka surprizuar të gjithë me prezantimin te ekipi i ri, raporton Panorama Sport, njofton Insajderi.
Abazaj, është prezantuar te Istanbulspor, ekip që bënë pjesë në Ligën e Dytë turke. Në Istanbulspor, mesfushori 24 vjeçar do të gjejë bashkëlojtarin, Eduart Rroca, që sezonin e kaluar, të dy ishin pjesë e skuadrës së Kukësit në Kategorinë Superiore.
Para transferimit të Abazaj në Istanbulspor, mesfushori shqiptar ishte afër transferimit te skuadra tjetër turke e Ankaraspor, por për shkak se ekipi nga kryeqyteti turk kishte bllokuar merkaton, Abazaj vendosi të transferohej në një ekip tjetër turk.
Në Kukës, Kristal Abazaj, u transferua në formën e huazimit nga skuadra belge Anderlecht. Pas mbarimit të huazimit, Abazaj u rikthye në Anderlecht, ekipi që zotëron kartonin e tij, por as aty nuk qëndroi gjatë, duke vazhduar karrierën në Turqi. /Insajderi.com