Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, gjatë një vizite dy ditore në Itali, ka akuzuar fuqishëm shtetin kinez për shtypjen e lirive fetare, sidomos të komunitetit mysliman, transmeton Insajderi.
“Askund në rajon liria nuk sulmohet më shumë sesa brenda Kinës. Partia Komuniste Kineze e sheh veten si autoriteti më i lartë moral. Shtypja në rritje vjen nga frika e mungesës së legjitimitetit demokratik, prandaj ata punojnë ditë e natë për të shuar llambën e lirisë, veçanërisht atë fetare, në një shkallë të tmerrshme”, tha sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo në konferencën e organizuar nga Vatikani “Në mbrojtje të lirive fetare përmes diplomacisë”, të mbajtur në Romë.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se reagimet e dhunshme shkaktohen nga shtypja që Kina u bën ujgurëve, raporton VOA.
Sekretari Pompeo, përsëriti kritikat e mëparshme, duke thënë se ujgurët dhe pakicat tjera myslimane në Kinë janë persekutuar, ndërsa shtoi se ka edhe komunitete të besimeve tjera që keqtrajtohen në shtetin aziatik. /Insajderi.com