Sulmuesi veteran dhe kapiteni i Maqedonisë, Goran Pandev, ka thënë se ai nuk është i gatshëm të luaj gjithë ndeshjen ndaj Kosovës, por ka thënë se ai jeton për ndeshje të tilla.
“Mendoj se nuk jam i përgatitur për gjithë ndeshjen, mirëpo përzgjedhësi e di më së miri këtë. Shpresoj që ta kryejmë punën para 120 minutave dhe të kualifikohemi në finalen e dëshiruar”, ka thënë sulmuesi veteran në konferencën për shtyp, transmeton Insajderi.
“E dimë se çfarë sjell kjo ndeshje. Kemi përvojë dhe jemi të përgatitur për atë që na pret. Ndeshjet e klubeve dhe përfaqësueseve janë krejtësisht ndryshe. Të gjithë e dimë çfarë do të thotë ta bartësh fanellën e përfaqësueses. Për mua, ky është shansi i fundit që të luajë në një garë të madhe”, shtoi ai.
“Dëshira për të fituar është e madhe dhe t’i ofrojmë kënaqësi popullit tonë, sidomos në këtë periudhë të vështirë në gjithë botën. Unë, thjesht jetoj për këtë ndeshje. E di së të gjithë ne do ta lëmë zemrën në fushë, prandaj le të fitojë më i miri”, ka deklaruar Pandev./Insajderi.com.