Lojtarët e Kosovës: Duajeni Kombëtaren edhe kur humb

Lojtarët e Kosovës: Duajeni Kombëtaren edhe kur humb

Pas ndeshjes kundër Sllovenisë, ku “Dardanët” kanë pësuar humbje e dytë radhazi në grupet e Ligës së Kombeve, kanë filluar kritikat por edhe ofendimet e tifozëve të Përfaqësueses së Kosovës. Ndërsa, kundër këtyre kritikave kanë reaguar protagonistët e ndeshjes së mbrëmshme, njofton Insajderi.

Pas takimit kundër Sllovenisë, kanë dhënë intervista disa nga lojtarët e Kosovës, mes tyre Lirim Kastrati, Valon Berisha dhe Leart Paqarada.

Sulmuesi i Dinamo Zagreb, Lirim Kastrati, tha: “Jemi të zhgënjyer për këtë humbje, të gjithë jemi fajtorë. Kur humbim, humbim bashkë, kur fitojmë, fitojmë së bashku, duhet ta harrojmë këtë dhe të ecim përpara. Disa ndeshje kemi luajtur keq dhe kemi fituar, tani po luajmë mirë dhe s’po mundemi me marrë rezultate. Jemi në një fazë të keqe, gjashtë humbje radhazi. Mesazhi im për ata që po na dërgojnë mesazhe negative është ky: Duajeni Kombëtaren edhe në momente të vështira, jo veç kur fitojmë.”

Ndërsa, pastaj u shpreh mesfushori i Reims, kapiteni i Kosovës në ndeshjet e fundit, Valon Berisha, duke thënë: “Besoj se deri në 16 metrat e fundit kemi luajtur mirë, kemi krijuar raste, por në zonë s’ka qenë askush që të shënojë gol. Kur je në 16-metërsh duhet me shtysh topin. Ne e dimë vlerën e Vedatit, ai është shumë i rëndësishëm në ekipin tonë. Por besoj se kemi lojtar tjerë, duhet të ishim në zonë. Kemi luftuar për ta fituar ndeshjen, por për momentin nuk po kemi fat. Jemi Kosova, nuk jemi Brazili. Mendoni se nuk kemi dëshirë të fitojmë? Po provojmë të çlirohemi në fushë për ta fituar lojën, por nuk po mundemi”.

Pastaj krejt në fund foli edhe mbrojtësi i majtë i Kosovës, Leart Paqarada, ku tha: “Humbja ndaj Maqedonisë ka qenë e madhe, një dështim, por është një kohë që duhet të jemi pozitivë. Kosova është këtu ku është edhe falë lojtarëve si Amir Rrahmani, Milot Rashica e Vedat Muriqi, ata përfaqësojnë vendin tonë. Kohët e fundit, populli i ka ofenduar. Po flasim për lojtarë për të cilët jam krenar që i kam në ekip, sepse e përfaqësojnë vendin tonë në gjithë botën. Ata të tre janë kanë lojtarë kyç që na kanë sjellë deri këtu ku jemi.”

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan kundër Greqisë më 14 tetor (të mërkurën), me fillim nga ora 20:45 në Athinë. /Insajderi.com