Ndeshja në mes Anglisë dhe Danimarkës në kuadër të Ligës së Kombeve ka përfunduar me rezultat 0-1 në të mirë të danezëve.
Ndeshja filloi mirë për anglezët të cilët po krijonin raste të mira shënimi, por në minutën e 32-të, Harry Maguire u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. Pak minuta pas përjashtimit të Maguire, Kyle Walker ndërhyri në mënyrë të parregullt në zonën e rreptësisë në mesfushorin Delaney, dhe kësisoj u akordua penalti për danezët. Ishte Christian Eriksen ai që ekzekutoi penaltinë dhe shënoi në minutën e 35-të. Anglezët edhe pse me një lojtarë më pak, tentuan deri në fund të ndeshjes për të barazuar rezultatin, por nuk arritën të shënojnë.
Anglia gjendet në pozitën e tretë të grupit 2 së ligës A me 7 pikë, po aq sa ka edhe Danimarka e cila renditet në vendin e dytë. Të dy këto kombëtare janë në ndjekje të Belgjikës e cila është lideri i grupit me 9 pikë.