Ballkani mposht Arbërinë në transfertë

Ballkani mposht Arbërinë në transfertë

Në ndeshjen hapëse të gjiros së gjashtë, në Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani nga Suhareka ka arritur të shënoi fitore si mysafire e skuadrës nga Dobraja e Madhe, njofton Insajderi.

Ndeshja që nga fillimi ishte me një ritëm të lartë, te dyja skuadrat tentonin të shënonin gol sa më parë dhe të arrinin të shënonin fitore.

Për golin e parë në takim, duhej të pritej minuta e 35’ e takimit, ku vendasit shënuan me Sunaj Hasan. Me këtë avantazh minimal u mbyll pjesa e parë në favor të Arbërisë.

Me këtë rezultat nuk mund të pajtohej assesi trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ku vetëm pas nëntë minutave sa kishte filluar pjesa e dytë, barazoi rezultatin sulmuesi më i rrezikshëm i Ballkanit, Mirlind Daku.

Almir Kryeziu, riktheu përsëri epërsinë për Arbërinë, duke shënuar për 2:1 në minutën e 65’ të takimit.

Përsëri barazon Ballkani me Armend Thaçin, në minutën e 72’ të takimit.

Në minutën e 83’ të ndeshjes, për epërsinë e parë të Ballkanit shënoi Mirlind Daku nga penalltia, nga një penallti diskutabile. Ndërsa në kohën shtesë, për të vulosur fitoren e Ballkanit, u kujdes Ermal Krasniqi, që vulosi shifrat përfundimtare të takimit, Arbëria 2:4 Ballkani.

Kjo është fitorja e pestë për Ballkanin në gjashtë takimet e zhvilluara deri më tani në Superligë, krahas një barazimi.

Ndërsa kjo është humbja e dytë radhazi për Arbërinë, pas një starti fantastik që kishte në katër gjirot e para.

Me këtë fitore, Ballkani është lider në tabelë, me 16 pikë të tubuara pas gjashtë javësh, ndërsa Arbëria pas gjashtë gjirosh, ka tubuar tetë pikë në tabelë. /Insajderi.com