Gjatë ditës së martë, në Komunën e Deçanit ka qëndruar i pari i Qeverisë së kosovës, Avdullah hoti dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ku kanë përuruar palestrën e qytetit, me vlerë afër dy milionë euro, njofton Insajderi.
Në këtë përurim, gjithashtu mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Në fjalën e tij, me rastin e përurimit të palestrës, kryeministri Hoti tha “është kënaqësi dhe nder që bashkë me Ministren Dumoshi dhe kryetarin Ramosaj të jemi në përurimin e kësaj salle të bukur, në këtë vend të bukur dhe në këtë ditë të bukur. Ministrja Dumoshi, me entuziazëm po i çon përpara projektet, që pas shumë viteve prej sa ka filluar të ndërtohet kjo palestër dhe që ka kaluar shumë ministra të kulturës, rinisë dhe sportit, por është me interes që sot është kompletuar kjo sallë, e cila është e standardeve ndërkombëtare”.
Në anën tjetër, u vlerësua lartë ky projekt për Deçanin nga ministrja Dumoshi. “Projekti ka kaluar nëpër tri faza të punimeve dhe kap vlerën totale prej 2,000.000 €. Është ndër palestrat më moderne e që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare sipas kritereve të Federatës botërore dhe Evropiane të Hendbollit (IHF dhe EHF). Poashtu plotëson të gjitha kriteret për zhvillimin e ndeshjeve në Basketboll në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar duke i plotësuar të gjitha kriteret e FIBA-s. Me këtë rast ekipet nga Kosova mund të zhvillojnë ndeshje të karakterit ndërkombëtar”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.
Gjithashtu, i pari i Deçanit në fjalën e tij, ka vlerësuar se projekti ishte i domosdoshëm që sportistët ta kenë shtëpinë e tyre, “më në fund pas shumë vitesh pas shumë përpjekjesh që janë përafërsisht rreth 12 vite komuniteti sportiv, sportdashësit e kanë shtëpinë e vetë. Faleminderit prej të gjithëve që keni kontribuuar që ta kemi një objekt të tillë është fat për ne dhe po ashtu suksesi do të jetë i siguruar për ne”, tha Ramosaj. /Insajderi.com