Juventus nuk fiton prej tre javësh në kampionatin italian, derisa pas dy barazimeve si mysafir, erdhi edhe një i tretë në “Allianz Stadium” ndaj Veronës, ku bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se rezultati 1-1 dhe kontestuan shumë referat e ndeshjes, njofton Insajderi.
Drejtori Sportiv i Juventus, Fabio Paratici ka kërcënuar referat e sfidës me Veronën dhe ka folur me një gjuhë ofenduese ndaj tyre, ndërsa zbulimi është bërë nga Gjykata Sportive në Itali, e cila ka gjobitur me 15 mijë euro drejtuesin e Juventusit.
Kjo është hera e dytë radhazi që Paratici pezullohet për shkak të sjelljeve të papërshtatshme ndaj referave, pasi edhe një javë më parë në transfertën ndaj Crotones, zbriti në pankinë në 10 minutat e fundit, prej ku nuk i kurseu kritikat e presionin ndaj gjyqtarit të ndeshjes. /Insajderi.com