IOM: Raportohen së paku 140 persona të vdekur nga fundosja e barkës me senegalezë

IOM: Raportohen së paku 140 persona të vdekur nga fundosja e barkës me senegalezë

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) njoftoi se të paktën 140 njerëz vdiqën në katastrofën e barkës javën e kaluar në Senegal, kur mjeti lundrues u fundos gjatë rrugëtimit drejt Spanjës, transmeton Insajderi.

IOM tha në një deklaratë se të paktën 140 njerëz vdiqën si rezultat i fundosjes së barkës që mbante rreth 200 emigrantë të parregullt që u nisën nga Senegali për të shkuar në Spanjë, raporton Anadolu Agency (AA).

IOM e përshkroi incidentin si “katastrofa më e madhe e emigracionit të parregullt në vitin 2020”.

Në një deklaratë të mëparshme nga autoritetet e Senegalit, numri i të vdekurve u njoftua se ishte 20.

Ndryshe, barka me emigrantë u fundos më 24 tetor, pranë qytetit Mbour, 80 kilometra nga kryeqyteti Dakar, për shkak të dështimit të motorit.

Në Senegal, veçanërisht në rajonet ku numri i të rinjve të papunë është i lartë, të rinjtë përpiqen të shkojnë në Spanjë ilegalisht me anije dhe barka. /Insajderi.com