Në vigjilje të sfidës së Champions-it ndaj Ferencvaros në transfertë e cila do të zhvillohet nesër në orën 21:00, trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, shfaqet në konferencën për shtyp duke deklaruar se duhet respektuar kundërshtari sepse ndeshjet e Champions-it janë të gjitha delikate, njofton Insajderi.
“Budapesti është qytet i bukur, por ne jemi këtu për ta luajtur dhe fituar këtë sfidë. Një skuadër e mirë, bëri një ndeshje të bukur me Dinamo Kiyev”, tha fillimisht trajneri i Juventus.
Gjithashtu, Pirlo foli edhe për ndeshjen e kaluar, ku juventinët humbën kundër Barcelonës. “Ajo humbje na bëri të kuptojmë se kemi nevojë të përmirësohemi, sepse për të tilla ndeshje nevojitet shumë organizim. Të përballesh që në fillim me Barcelonën të bën mirë sepse në të ardhmen të nevojitet si një mësim për të përmirësuar gabimet dhe për të luajtur më mirë në ndeshjen e kthimit”.
Në fund, tekniku italian, foli edhe për prezencën e tifozëve në këtë ndeshje, duke thënë: “Ndikon për mire tek ne sepse publiku të jep një ndjesi për të ndjerë më shumë vështirësi ose frikë nga rreziku në fazën mbrojtëse. Kur ndjen tifozët që shtyjnë skuadrën, ndihmon të rifitosh vëmendjen e duhur”, përfundoi fjalën e tij ish-mesfushori italian. /Insajderi.com