Prishtina mposht minimalisht Arbërinë në kryeqytet

Prishtina mposht minimalisht Arbërinë në kryeqytet

Në javën e 11 në Superligën e Kosovës në futboll, Prishtina më në fund ka shënuar fitore, minimale kundër Arbërisë por shumë të rëndësishme, pasi ndërpreu serinë katastrofike me tre humbje radhazi që kishte, ndërsa kjo është disfata e katërt radhazi për ekipin e trajnerit Arbnor Morina, njofton Insajderi.

Në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, u shënua vetëm një gol, dhe ai në pjesën e parë nga pika e bardhë.

Po zhvillohej minuta e 11’ e ndeshjes, kur Otto John u ndalua në mënyrë të palejuar nga lojtarët e ekipit mysafir, ndërsa gjyqtari kryesor akordoi penallti. Nga pika e bardh, i pagabuar ishte Enis Gavazaj, duke shënuar për 1:0, rezultat i pjesë së parë, por edhe i tërë takimit.

Kështu, me këto tre pikë, Prishtina ka 14 pikë të tubuara dhe ndodhet në vendin e pestë në tabelë, me 10 ndeshje të zhvilluara. Ndërsa, Arbëria me këtë humbje, pas 11 ndeshjeve, mbetet në 11 pikë dhe ndodhet në vendin e tetë në tabelë. /Insajderi.com