Derisa ende mbetet për t’u parë se kush do ta fitojë garën zgjedhore në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga dy taborët, edhe Demokratët edhe Republikanët, deklarojnë se kanë bërë mjaftueshëm për të fituar, shkruan Insajderi.
Gara është tepër e ngushtë dhe janë në pyetje diferenca fare të vogla në “vendet e luhatshme”, të cilat do ta vendosin fituesin.
“Ata (demokratët) e dinë dhe ne e dimë, se po që se votohen të gjitha votat e ligjshme, ne fitojmë”, ka thënë menaxheri i kampanjës së Donald Trump, Bill Stepein, njofton BBC.
“Jemi konfidentë se i kemi bërë matematikat saktë”, pohoi ai.
Në të njëjtën kohë, në anën tjetër nga ekipi i Joe Biden, thonë se kanë bërë mjaftueshëm për të fituar.
Menaxherja e kampanjës së Biden, Jen O’Malley Dillon, tha se ish-zëvendëspresidenti është në rrugë për në Shtëpinë e Bardhë.
“Jemi në rrugë të mirë për ta fituar Michiganin, Wisconsin, Pennsylvanian dhe tashmë e kemi kthyer Arizonën”, tha ajo.
Gjithsesi, edhe Republikanët edhe Demokratët nuk kanë dhënë shumë detaje se nga dalin me këto rezultatet që i bën fitues njërën ose palën tjetër.
Në ndërkohë votat po vazhdojnë të numërohen në disa shtetet ku dallimi i vogël pamundëson të jepet një projeksion për fituesin./Insajderi.com