Në kuadër të javës së 11-të në Superligën e Kosovës në futboll, ndeshja e luajtur në Drenas, mes skuadrës vendase Feronikelit dhe mysafirëve nga Suhareka, është mbyllur në barazim, njofton Insajderi.
Pas vetëm 12’ minutash lojë, Feronikeli kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Adem Maliqi, i cili çoi topin në rrjet nga afërsia. Deri në fund të pjesës së parë, ‘nikli kishte edhe dy mundësi tjera, për të dyfishuar rezultatin. Së pari tentoi Mendurim Hoti në minutën e 30-të dhe pastaj tentoi pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë me Bojkun, por pa arritur të ndryshojnë rezultat.
Pjesën e dytë më mirë e filluan mysafirët, që rrezikuan dy herë, së pari me Dakun dhe pastaj me Zekën, por goditjet e tyre shkuan mbi portë.
Në minutën e 65’ të ndeshjes, gjyqtari kryesor i takimit, Alban Shala ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë Besmir Bojkun, dhe nga ky moment skuadra nga Drenasi mbetet me 10 lojtarë në fushë.
Epërsinë numerike, nuk e lan pa e shfrytëzuar skuadra nga Suhareka, që barazoi rezultatin në minutën e pestë shtesë me Ermal Krasniqin, i cili lëshoi një goditje të fuqishme jashtë zonës, duke tundur rrjetën kundërshtare. Kështu duke dhënë verdiktin final derbit të javës së 11-të në Superligë, Feronikeli 1:1 Ballkani.
Pas kësaj pike të fituar me vështirësi në Drenas, Ballkani ka mbledhur 26 pikë dhe ndodhet në vendin e parë ne tabelë, ndërsa Feronikeli me këtë pikë, shkon në 12 pikë të fituara dhe ndodhet në vendin e shtatë. /Insajderi.com