Kryetari i FFK-së Agim Ademi takohet me homologun nga Shqipëria

Kryetari i FFK-së Agim Ademi takohet me homologun nga Shqipëria

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ishte i pranishëm ditën e sotme në Shqipëri së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, në një vizitë te zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku u prit nga homologu shqiptar, Armand Duka, ku së bashku vizituan stadiumin “Air Albania”, njofton Insajderi.

Në një prononcim për media, Ademi së pari falënderoi Dukën në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, pastaj u ndal për të folur për miqësoren vëllazërore si dhe për ligjin e sponzorizimit.

“Jemi të nderuar që jemi prezent dhe jemi pritur nga presidenti Duka dhe komiteti ekzekutiv, për të parë këto objekte të mrekullueshme”, tha fillimisht Ademi.

Më tutje, Ademi u ndal edhe te miqësorja vëllazërore Shqipëri – Kosovë. “Sfida ndaj Shqipërisë do të jetë gjithmonë një vëllazërore dhe ne do të jemi gjithmonë një vëlla i vogël sa herë që i duhemi ekipit të Kombëtares, në të gjitha ndeshjet tona dhe me kapacitetet tona”, tha kryetari i FFK-së.

Për fund, Ademi foli edhe për ligjin e sponzorizimit, duke thënë: “Është i prekshëm dhe shumë i lehtë dhe i arsyeshëm. Ne mund të japim përvojat tona në futboll dhe jo vetëm. Në futboll ka më shumë njerëz të interesuar për të investuar. Kemi fatin që në Kosovë janë afruar shumë kompani të mëdhaja në Ligat tona.  Është një ngritje ekonomike, që sjell ngritjen cilësore. Ne me kapacitetet tona, jemi të gatshëm me cilindo të flasim se si po ecën ligji i sponsorizimit”, përfundon të ketë thënë Ademi. /Insajderi.com