Barack Obama nuk do të pranonte një pozicion në kabinetin e Joe Biden, edhe në presidenti i zgjedhur do ia ofronte një të tillë. Kjo sepse ka frikë se mos Michelle Obama e braktisë.
Presidenti i 44-të deklaroi këtë në një intervistë me CBS Sunday Morning, dy ditë përpara botimit të librit, “A Promised Land” (“Një tokë e premtuar”), njofton The Guardian, transmeton Insajderi.
Biden, nënkryetari i Obama-s nga viti 2009 deri në 2017, po përgatitet të bëhet presidenti i 46-të në janar, pasi ka mundur Donald Trump në votime.
I pyetur se si do ta ndihmojë Biden-in, Obama tha: “Ai nuk ka nevojë për këshillën time dhe unë do ta ndihmoj në çdo mënyrë që të mundem. Por jo se po planifikoj të punoj papritmas për stafin e Shtëpisë së Bardhë apo diçka e tillë”.
I pyetur nëse do të merrte parasysh një pozicion në kabinet, Obama tha: “Ka disa gjëra që nuk do të bëja sepse Michelle do të më braktiste. Do më thoshte: ‘Si? Çfarë po bën’”.
Përndryshe, çifti Obama ka mjaft gjëra të rëndësishme për të mbushur kohën. Së fundmi ata janë të zënë duke themeluar një fondacion bamirës dhe janë në punë e sipër në një produksion me Netflix. /Insajderi.com