Prishtina përsëri fiton, kësaj radhe ndaj Besës në Pejë

Prishtina përsëri fiton, kësaj radhe ndaj Besës në Pejë

Skuadra nga kryeqyteti, FC Prishtina, ka arritur fitoren e tretë radhazi në Superligën e Kosovës në futboll, duke mposhtur me rezultat 2:0 Besën në Pejë, njofton Insajderi.

Në këtë takim, Prishtina ishte favoritë në letër, duke parë ecurinë në ndeshjet e fundit të ekipit “bardhekaltër”, si dhe pozitën aktuale të pejanëve, të cilët ndodhen në pozitën e fundit në ligë.

Kur kaluan 30’ minuta lojë, mysafirët krijuan epërsinë e parë, autor i golit ishte përsëri mesfushori nga Malisheva, Endrit Krasniqi, i cili realizoi pas asistimit nga Mankenda. Me këtë rezultat u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes.

Gjithashtu, edhe pjesa e dytë, ishte dukshëm më mirë për miqtë, të cilët realizuan golin e dytë, golin e sigurisë së tre pikëve. Autor i golit ishte Leotrim Kryeziu, i cili shënoi në të 66-tën minutë.

Deri në fund, nuk munguan rastet e shënimit nga ekipet në fushë, por pa arritur të shënonin përsëri. Kështu, takimi në Pejë u mbyll 0:2 për mysafirët nga Prishtina.

Me këto tre pikë, Prishtina shkon në kuotën e 24 pikëve pas 14 javëve, ndërsa Besa pas kësaj disfate, mbetet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm gjashtë pikë. /Insajderi.com