Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se refugjatët sirian dhe irakian do të duhet të largohen nga Gjermania në momentin kur Shteti Islamik (ISIS) do të shkatërrohet plotësisht.
Kohëve të fundit Merkel kishte marrë shumë kritika për “hapjen e derës” për refugjatët, përderisa këta të fundit u panë si shkaktarët kryesorë të dhunës seksuale në qytetin Koln të Gjermanisë, raporton Express.co.uk
Gjermania ka pranuar mbi 1 milionë refugjatë vetëm vitin e fundit, shumica prej të cilëve njerëz që kanë ikur nga konfliktet në Siri dhe Irak, shkruan Insajderi
“Të gjithë ata që kanë statusin e qëndrimit të përkohshëm në Gjermani, duhet ta keni parasysh që prej tyre presim që në momentin e arritjes së paqes në Siri, në momentin kur ISIS-i të shkatërrohet në Irak, të kthehen në vendin e tyre së bashku me dijen e fituar këtu”, ka thënë Merkel.
Merkel përveç tjerash ka thënë se 70 për qind e njerëzve që kanë ikur nga konfliktet në ish-Jugosllavi në vitet e 90’ta janë kthyer në vendin e tyre.
Ajo ka paralajmëruar shtetet evropiane që të përpiqen të mos lejojnë refugjatë të tjerë të hyjnë në eurozonë. Sipas saj, numri i refugjatëve duhet të ulet e në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që numri i tyre të rritet, veçanërisht jo në pranverë./Insajderi