Trepça ’89 shënon fitore të pastër ndaj Gjilanit

Trepça ’89 shënon fitore të pastër ndaj Gjilanit

Në javën e 16-të në Superligën e Kosovës në futboll, Trepça ’89 ka shënuar fitore të pastër prej 3:0 kundërt mysafirëve të Gjilanit, njofton Insajderi.

Skuadra nga Mitrovica e konfirmon faktin se është “delja e zezë” për Gjilanin, pasi në gjashtë ndeshjet e fundit mes dyja ekipeve, Trepça ’89 ka shënuar tre fitore, ndërsa tre të tjera kanë përfunduar baras.

Pas 20’ minutave lojë, nikoqirët kaluan në epërsi, nga pika e bardhë ishte i saktë Muja. Me rezultat minimal për vendasit u mbyllën 45’ minutat e parë të ndeshjes.

Gjithashtu, edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, vazhdoi dominimi i vendasve.

Në minutën e 77-të, nikoqirët dyfishuan rezultatin me anë të sulmuesit të rrezikshëm, Bismark Sie. Ndërsa, në të 83-tën minutë, ekipi mitrovicas shënoi edhe golin e tretë, Nimani ishte autori i golit. Ky ishte goli i fundit në këtë takim.

Me këto tre pikë, Trepça ’89 shkon në kuotën e 20 pikëve dhe ndodhet në vendin e gjashtë në tabelë, ndërsa Gjilani mbetet në 23 pikë dhe ndodhet e katërta. /Insajderi.com