Tottenham mposht Arsenalin, fiton derbin londinez

Tottenham mposht Arsenalin, fiton derbin londinez

Në javën e 13-të në Premier League, u luajt derbi londinez mes Tottenham dhe Arsenalit, ku fitore shënoi ekipi i portugezit Mourinho me rezultatin 2:0, njofton Insajderi.

Favorit në këtë takim ishte Tottenham, sipas formës fantastike që po tregon në ligë, ndërsa Arsenal me këtë disfatë, konfirmon pozitën e vështirë që ndodhet.

Pas 13-të minutash lojë, Tottenham kaloi në epërsi me Heung-Min Son i cili u asistua nga Harry Kane, dhe me një goditje të bukur jashtë zone, arriti të mposhte portierin Leno.

Në anën tjetër Arsenal tentonte të barazonte rezultatin, mirëpo pas një kundërsulmi të shpejtë, kësaj radhë aktorët e golit të parë ndërruan role, Son asistoi ndërsa Kane shënoi për 2:0, teksa zhvillohej minuta e fundit e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, të dyja ekipit kishin mundësi, por pa arritur të shënonin. Kështu që, shifrat përfundimtare ishin ato të pjesës së parë 2:0.

Me këtë fitore, Tottenham ruan kryesimin në Premier League me 24 pikë, ndërsa Arsenal futet akoma në krizë, pasi ndodhen në vendin e 15-të me 13 pikë. /Insajderi.com