Liga e Kampionëve, Grupi F: Dortmund dhe Lazio kalojnë tutje

Liga e Kampionëve, Grupi F: Dortmund dhe Lazio kalojnë tutje

Kanë mbaruar ndeshjet e fundit në grupin F të Ligës së Kampionëve, ku nga ky grup kanë kaluar tutje në fazën e eliminimit direkt BVB Dortmund si lider i grupit dhe Lazio nga vendi i dytë, ndërsa Club Brugge kalon në Ligën e Evropës si e pozicionuar në vendin e tretë në grup, njofton Insajderi.

Në ndeshjen e zhvilluar në Rusi mes Zenit dhe Dortmund, ta parën në epërsi kaluan nikoqirët me anë të sulmuesit argjentinas Sebastian Driussi (16’), ndërsa në pjesën e dytë përmbysën rezultatin gjermanët. Së pari barazoi me polakun Lukasz Piszczek (68’), ndërsa golin e fitores e shënoi mesfushori belg, ish-lojtari i Zenit, Axel Witsel (78’).

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në “Olimpico” të Romës, Lazio dhe Club Brugge kanë luajtur baras 2:2. Angel Correa (12’) dhe Immobile (27’) nga penalltia ishin autorët e golave për italianët, ndërsa për belgët barazuan Vormer (15’) dhe Vanaken (76’).

Në grupin F, Dortmund e mbyll si lider me 13 pikë, Lazio në vendin e dytë me 10 sosh, ndërsa Club Brugge ndodhet e treta me tetë pikë. /Insajderi.com