Ekipi nga kryeqyteti, Prishtina ka shënuar fitore të pastër 3:0 në udhëtim te nën-kampioni Gjilani, në kuadër të javës së 17-të në Superligën e Kosovës në futboll, njofton Insajderi.
Deri në pesë minutat e fundit të pjesës së parë nuk kishte gola, ku në ato momente, Prishtina do të realizonte dy herë, për të krijuar epërsi solide në përfundim të pjesës së parë.
Në minutën e 41-të, Kastrati duke u përpjekur të largonte topin nga zona e vet gaboi, duke shënuar në portën e vet, kështu për t’i dhënë epërsinë e parë mysafirëve. Ndërsa, autori i golit të dytë ishte Kryeziu, i cili përfitoi nga harkimi i Mankendas.
Në pjesën e dytë, “bardhekaltërit” shënuan edhe golin e tretë, ku katër minuta para mbylljes së takimit, Sabien Lilaj u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur shifrat përfundimtare të përballjes së zhvilluar në “Stadiumin e Qytetit” në Gjilan.
Me këtë fitore, Prishtina shkon në 28 pikë të tubuara në vendin e tretë, ndërsa me këtë disfatë, Gjilani zbret në vendin e pestë me 23 pikë. /Insajderi.com